Lirohen 3 protestuesit e Unazës së Re, që ishin arrestuar 18 ditë më parë.
Ilir Katiraj, Gramoz Shehu dhe Skender Doda ankimuan sot masën e sigurisë ‘arrest me burg’, ndërkohë që Gjykata e Apelit i la ata në ‘arrest shtëpie’.
Gjykata e shkallës së parë kishte caktuar më herët masën ‘arrest me burg’, ndërkohë avokatët e tyre kërkuan ndryshim të masës së sigurisë, me argumentin se klientët e tyre kishin konsumuar të njëjtën vepër penale, sikundër edhe protestues të tjerë që më pas janë lënë të lirë. Ata u arrestuan pasi u akuzuan për bllokim rruge, që me kodin e ri, vepra të tilla dënohen deri në 3 vite burg.
Por banorët e Astirit që prisnin jashtë Gjykatës së Apelit, nuk janë kënaqur nga vendimi, ndërsa sot paralajmërojnë një tjetër protestë. Gazetari Erjon Skëndaj pohoi se banorët janë shprehur se sot pasdite do të zhvillojnë një tubim krejt ndryshe nga ai i zakonshmi.