Nga Alba Mborja
Një sërë ligjesh të miratuara nga qeveria Rama duket se kanë patur një qëllim kryesor-lehtësimin e tjetërsimit të pronave drejt kompanive afër qeverisë.
Në vitin 2015 qeveria miratoi ligjin për investimet strategjike me justifikimin e nxitjes së investimeve të rëndësishme në Shqipëri. Ligji mjaft i debatuar në parlament, parashikon se shteti i mundëson kompanive me statusin e investitorit strategjik:
dhënia e pronave shtetërore
shpronësimin e pronave private.
Në praktikë ky ligj është përdorur për disa investime që nuk janë aspak strategjike por kanë marrë statusin “investitor strategjik” për shkak se janë ndërtuar nga kompani pranë qeverisë. Rasti tipik është Green Coast, i cili përbëhet nga vila rezidenciale që janë ofruar qytetarëve shqiptarë për ti blerë.
Dhënia e pronës shtetërore
Në fillim të tetorit qeveria miratoi ligjin për Korporatën e Investimeve. Korporata është një shoqëri aksionare private.Ajo ka një qëllim thelbësor; të zhvillojë dhe menaxhojë pronat shtetërore dhe të veprojë si pronar i këtyre pronave.
Ligji përcakton se KISH do të jetë në gjendje:
– Të konsolidojë nën kontrollin e saj, të gjithë trojet dhe asetet publike, siç mund të jenë aksionet publike në kompani të tjera dhe t’i përdorin ato si një mjet “për të nxitur investimet private”.
– Do ta bëjë këtë duke vepruar tërësisht jashtë ligjit të prokurimit publik. KISH ka liri absolute për të vepruar si kompani private me asetet publike nën kontrollin e saj.
– Mund të hyjë në marrëveshje me palët e treta, për çdo investim që ajo e konsideron të vlefshme.
– Mund të përdorë asetet e saj si kolateral për të marrë hua të mëtejshme nga institucionet financiare.
Ligji i jep qeverisë të drejtën të përcaktojë rregullat e prokurimit publik për Korporatën e Investimeve.Neni 13 i ligjit përcakton:
“Korporata, si operator me karakter ekonomik e tregtar, u nënshtrohet rregullave të posaçme të prokurimit dhe/ose të konkurrimit. Rregullat e posaçme të prokurimit dhe/ose të konkurrimit dhe rastet, sipas këtij neni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”
Fjala vjen, Ligji do t’i lejojë Korporatës, pra kryeministrit, të investojë, si shembull, një kompleks rezidencial të themi në Borsh dhe të vendosë që për këtë investim të ndjekë rregullat të përcaktuara po nga vet kryeministri. Nga ana tjetër vetë Korporata mund të hyjë në partneritet më këdo kompani që dëshiron, duke i dhënë kësaj kompanie truallin në bregdetin e Borshit.
Shpronësimi i pronës private
Për të lehtësuar procesin e shpronësimit, qeveria miratoi një vendim në shkurt të 2018, i cili pezullon rregjistrimin e pronave të fituara me ligjin 7501, nëse ato ndodhen në zona ku do të kemi projekte apo investime strategjike.
Me anë të këtij vendimi qeveria shkurton rrugën normale të shpronësimit–njoftimi i pronarëve, ngritja e komisioneve nëpër ministri e deri në shpronësimin e tyre–duke i dëmshpërblyer direkt pronarët. Kështu toka kalon lehtësisht drejt kompanive private.
Kohët e fundit, qeveria ka përgatitur një sërë propozimesh për ndryshimin e Ligjit për Shpronësimet Publike. Ndër të tjera, ndryshimet parashikojnë krijimin e Agjencisë Shtetërore për Shpronësimet, në varësi të Ministrisë së Infrastukturës, e cila do të jetë përgjegjëse për të gjitha procedurat e shpronësimit.
Siç e kemi shpjeguar dhe më parë ky ligj krijon hapësirë për abuzime, veçanërisht për zgjerimin e qëllimeve për të cilat mund të shpronësohet prona publike.
Centralizimi i procedurave të shpronësimit në një agjenci të vetme, eleminon hapat e parashikuara nga ligji aktual dhe qeveria e kryen më shpejt procesin e shpronësimit.
Kështu qeveria do e këtë më të thjeshtë të përmbushi detyrimin që ka për marrjen pronën pronarëve dhe dhënien e tyre kompanive private pranë qeverisë./ Exit.al