Nga PETRIT VASILI
Tashmë, letrat janë mbi tavolinë. Mund t’i lexojnë të gjithë. Për herë të parë, shqiptarët i dinë të vërtetat siç janë. Për herë të parë nuk janë viktima të një gebelsizmi rilindës histerik dhe gënjeshtar, sepse i njohin vetë të vërtetat. Të gjithë e dinë më së miri që Maqedonia meritonte t’i hapeshin negociatat dhe këtë s’ka propagandë që e kundërshton dot.
Të gjithë dinë gjithashtu që Shqipërisë nuk do t’i hapeshin negociatat, sepse qeveria jo vetëm nuk kishte bërë asgjë për pesë kërkesat, që ishin vendosur më parë, por kushtet u shtuan me kërkesë të Bundestagut gjerman, duke u bërë nëntë të tilla.
Të gjithë e dinë se Presidenti i Francës pengoi hapjen e merituar të negociatave për Maqedoninë, për shkak të Shqipërisë dhe për të mos i ndarë dy vendet.
Pra, Makron favorizoi Shqipërinë në dëm të Maqedonisë.
Kjo është kaq e qartë dhe kaq e thjeshtë sa çdo sqarim i mëtejshëm do të ishte pa asnjë kuptim.
Në një furi mediatike të orkestruar nga gebelsizmi qeveritar po shfaqet një furi folklorizmi patriotik qesharak anti-Makron.
Një furi e tillë është sa e pështirë, aq edhe e trashë, vulgare dhe e pagdhendur.
Përmenden pellazgët, ilirët, Skënderbeu, luftëra e beteja për të treguar se Makron u tregua i padrejtë me ne.
Është vërtet një turp i madh për Shqipërinë që ajo të shfaqë nivele të tilla banale e provinciale.
Makron qenka fajtor ndaj Shqipërisë? Mbase ndaj Maqedonisë edhe po.
Po ndaj Shqipërisë, përse?
Si mundet që logjika të gremiset në humnera budallallëku të tillë?!
Arrihet deri edhe që t’i kërkohet Makronit të na kërkojë falje neve shqiptarëve.
Po këtu është fundi i fundit të inteligjencës njerëzore.
Makron ka kryer një padrejtësi ndaj Maqedonisë, por faljen duhet t’ia kërkona Shqipërisë!?
Jo, jo, të nderuar miq.
Ju të paguar nga qeveria dhe ju që me një naivitet fëmijëror besoni një propagandë të çmendur dhe shpërtheni me patriotizëm folklorik.
Ka vetëm një fajtor dhe një shkaktar që Shqipëria është jashtë Europës.
Ky është Edi Rama që e shndërroi Shqipërinë në Kolumbinë e Europës dhe që bëri zgjedhje komuniste në 30 qershor dhe rrëmbeu 100% të pushtetit. Këto i kemi peshqesh nga Edi Rama dhe jo nga Makron.
Edi Rama as që mund të kërkojë dot as falje se faji që rëndon mbi të është shumë i madh.
Nëse s’keni kurajë dhe mend në kokë t’ia kërkoni Ramës këtë, të paktën mos shkruani marrëzira.
Makron, po, bëri një padrejtësi, por ia bëri Maqedonisë. Ky është fakt i madh sa një mal dhe këtë nuk e mbulon dot as moçali i Edi Ramës, as marrëzirat e hedhura nëpër media si hashashi që ka mbuluar Shqipërinë për të hutuar njerëzit.
As që kam ndërmend t’i them kurrkujt se i duhet kërkuar ndjesë Makronit.
Por që të ndalin këtë shfaqje që na bën pis të gjithëve, po.
Shqiptarët janë inteligjentë, racionale dhe të drejtë.
Kjo epidemi vulgare anti-Makron vetëm shfaq të kundërtën e Shqipërisë së vërtetë.
Nuk i shtoi kushtet për hapjen e negociatave Makron, por kriminalizimi i Edi Ramës.
Bundestagu gjerman me të drejtë shtoi kushtet, dhe shumë të rënda madje, por propaganda rilindase filloi duartrokitjet idiote me Edi Ramën në krye, që klithte si i marrë: Danke Angela.
Pra, danke se kushtet u shtuan dhe fajin sërish e paska Makron!?
Maqedonia shkon në zgjedhje të parakohshme dhe Zaev i pranon ato, megjithëse duartrokitet nga gjithë Europa për negociatat dhe nuk sulmon Makronin siç bën Edi Rama. Edi Rama, që mori në qafë edhe Maqedoninë, rri paturpësisht në karrige dhe nuk largohet.
Ju, miq naivë, boll u lodhët me budallallëkun anti-Makron!
Është koha të kërkojmë përgjegjësitë ndaj qeverisë armike së shqiptarëve dhe Kryeministrit antishqiptar të tyre.