Shqipëria me 2 shtete afrikane, në krye të listës globale të korrupsionit

E mërkurë, 13 November 2019 08:21

Shqipëria bashkë me shtetet afrikane Sierra Leonen dhe Laon kryesuan listën globale të vendeve më të korruptuara sipas këndvështrimit të biznesit të evidentuar nga anketa e Ndërmarrjeve e Bankës Botërore, e cila zhvillohet në një interval 6 vjeçar.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore që i referohen anketave të tre viteve të fundit nga 2016 në 2019 në vende të ndryshme shihet se Shqipëria kryeson listën globale ndër vendet e anketuara, ku 36.1 për qind e bizneseve kanë pohuar se janë ndeshur me praktika të korrupsionit. ( shih grafikun bashkëngjitur).

Shqipëria vjen e treta pas Sierra Leones dhe Laos ku përkatësisht 46.1 dhe 40.3 për qind e bizneseve kanë pohuar se kanë bërë pagesa korruptive.

 

Në këtë renditje Shqipëria ishte në mesin e vendeve afrikane, ku shumica e të cilave ishin në një pozicion mjaft më të mirë. Madje edhe në Bolivi dhe Kolumbi, që janë vende ku dominojë kartelet e drogës dhe krimit, duket se bizneset kanë marrëdhënie më korrekte me qeveritë e tyre.

Në Europë bizneset e Qipros dhe Turqisë kanë raportuar nivele të ulta korrupsioni me përkatësisht 0.2 dhe 1.4%.

Përqindja e bizneseve në Shqipëri që kanë pohuar se kanë paguara tarifa korrupsioni është rritur ndjeshëm që nga viti 2013, kur u bë anketa e fundit, ne te cilën  bizneset që aplikonin praktika korrupsioni përbenin afërisht 20 për qind të të anketuarve.

Anketa e ndërmarrjeve që kryhet nga Banka Botërore në bashkëpunimeve BERZH prodhon tregues të rëndësishëm të cilat vihen në themel të kërkimeve për klimën e biznesit në vende të ndryshme të botës.

Vrojtimi i Ndërmarrjeve është anketim i kompanive që përfshin një varg të gjerë çështjes biznesi si aksesin në financë, korrupsionin, infrastrukturën, krimin, konkurueshmërinë, dhe njësitë matëse të performancës. Rezultatet e vrojtimit përdoren për të informuar, dhënë përparësi dhe gjurmuar në kohë reforma të rëndësishme që i mundësojnë kompanive të rriten. Kampioni i këtij vrojtimi përbëhet nga pronarë të bizneseve dhe manaxherë të lartë nga 377 kompani që veprojnë në sektorë dhe rajone të ndryshme. intervistat janë kryer përgjatë periudhës janar-maj 2019.

Megjithatë zyra e Bankës Botërore në Shqipëri sqaroi se ndryshimet në perceptime janë shpesh të vështira për t’u kuptuar dhe interpretuar pasi ato shpesh nxiten edhe nga aspekte përtej përvojave të drejtpërdrejta, aspekte që Vrojtimi i Ndërmarrjeve nuk i mat.

Për më tepër, vrojtimi vë në dukje se firmat janë bërë më të drejtpërdrejta në shprehjen e ankesave për të gjitha aspektet e operacioneve të biznesit të tyre. Ky është një zhvillim pozitiv pasi paraqitja e ankesave ndihmon në identifikimin e çështjeve që duhen adresuar. Lista e pengesave kryesore që bizneset hasin në veprimtarinë e tyre ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme që nga viti 2013, por taksat dhe shkalla e lartë e informalitetit kanë mbetur në krye të listës ndër vite./MONITOR

Login to post comments