Duket se sot është dita e çudirave në botën juridike shqiptare. Pasi Arta Vorpsi u betua përpara një notereje për t’u bërë anëtare e Gjykatës Kushtetuese, mësohet një tjetër histori befasuese.
Pak ditë para se Këshilli i Lartë i Prokurorisë të përpilonte listën përfundimtare të kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm, Arta Marku ka dorëzuar një dokument të pazakontë.
Zonja Marku ka realizuar në mënyrë individuale, me anë të telefonatave, një sondazh sipas të cilit mbi 3000 njerëz do të preferonin që ajo të zgjidhej Prokurore e Përgjithshme. Sondazhi, një kopje të të cilit A2 disponon, është hartuar kur në garë ishte ende avokati Lulzim Alushaj.
Nga 5896 votues, 3157 vetë kanë shprehur preferencën që Marku të jetë Prokuror e Përgjithshme, ndërsa 1258 kanë zgjedhur Lulzim Alushajn. Zoti Olsian Çelaj, i cili u rendit i pari në listën e KLP, ka marrë vetëm 917 vota, ndërsa Fatjona Memçaj 564.