Analisti Agron Gjekmarkaj i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24” tha se ambasadori Borchardt ndoshta e ka merituar të shpallet i padëshiruar nga presidenti Ilir Meta.
Gjekmarkaj tha se jo gjithmonë ambasadori përfaqëson denjësisht organizatën ku ai merr pjesë. Po ashtu, Gjekmarkaj theksoi se ambasadorët jo gjithmonë duhen parë si shenjtorë.
“Ilir Meta ka barë aktin e duhur, Mbase jo totalisht, por pjesërisht ka bërë një akt të duhur. Ka bërë aktin e duhur, sepse ndonjëherë nuk duhet t’i konsiderojmë ambasadorët si tabu dhe si shenjtorë, por si njerëz të cilët jo gjithmonë sillen korrekt me institucionin që përfaqësojnë, duke marrë anësi në zhvillimet politike e frenetike shqiptare.
Unë theksoj këtu që është me rëndësi që të ndajmë aleatët tanë ndërkombëtarë nga individët. Nuk janë e njëjta gjë në rastin konkret, ambasadori me emrin konkret Borchardt me OSBE-në. Nga OSBE në njëfarë mënyre është pranuar verdikti i presidentit të Republikës. Prsh Vlahutin nuk është Bashkimi Europian, pra jo gjithmonë përfaqësuesit janë në lartësinë e vendeve që ata përfaqësojnë. Ka ambasadorë shumë të nderuar, ka edhe që janë sjellë ndoshta edhe si lakenj të vërtetë, duke marrë anësi dhe duke dëmtuar reputacionin e organizmave që përfaqësojnë përballë opinionit dhe shoqërisë shqiptare. Në rastin konkret, në optikën time, Borchard ka qenë tipik ambasador i njëanshëm, duke tradhtuar në njëfarë mënyre misionin e diplomatit në Shqipëri”, tha Gjekmarkaj