Anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi, doli me një deklaratë për mediat, pasi u paraqit sërish në punë, edhe pse Komisioni i Pavarur i Kualifikimit deklaroi shkarkimin nga detyra.
Muçi tha se pjesa urdhëruese e këtij vendimi për shkarkimin si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, nuk mbështetet në referencë ligjore dhe Kushtetuese.
Arsyeja është se ai nuk është më prokuror dhe është betuar përpara Presidentit të Republikës si gjyqtar.
“Bazuar në nenin 130 të Kushtetutës, i cili parashikon se:“Qenia si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër...shtetërore...” , dhe në nenin 64/b të Ligjit Nr. 96/2016 “Për statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” përcaktohet se: “Statusi i magjistratit mbaron në rastet kur: b) vërtetohen kushtet e pazgjedhshmërisë dhe të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit...” statusi im i Prokurorit rezulton se ka përfunduar që prej datës 18 tetor 2019, moment ky kur unë kam filluar të ushtroj detyrën e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese. Emërimi im në Gjykatën Kushtetuese është bërë në 15 tetor 2019, pra 3-vjet pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 76 të vitit 2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8417 datë 21/10/2008, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar”. Për pasojë sipas nenit 179/b, pika 3 të Kushtetutës unë nuk përfshihem si subjekt i rivlerësimit ex-officio për shkak të funksionit të Gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese, pasi këtë funksion unë nuk e kam pasur në momentin e hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 76 të vitit 2016,” thotë Muçi.
Për këtë arsye, ai i kërkon Gjykatës Kushtetuese të shprehet për këtë çështje.
“Në këto kushte i kam kërkuar Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, që në bazë të nenit 127 të Kushtetutës dhe nenit 9.2 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” të inicioni procedurën e verifikimit të mbarimit të mandatit tim si anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe marrjen e këtij vendimi nga Gjykata Kushtetuese në zbatim të nenit 127.2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë nëse verifikohen nga ana e Gjykatës Kushtetuese kushtet e mbarimit të mandatit tim si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të parashikuara në nenin 127 të Kushtetutës dhe nenin 9 të ligjit Nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, shkruan Muçi në deklaratë.
Ai thotë se deri kur të merret vendimi, do vazhdojë të kryejë detyrat kushtetuese.