Kushtetuesja dhe Pushtetuesja

Diel, 24 November 2019 19:06

Nga Edmond Tupja

Kushtetuesja, domethënë Gjykata Kushtetuese, është kudo, sidomos në vendet mirëfilli demokratike, organi i pavarur më i lartë i drejtësisë që i vë përfundimisht vulën zgjidhjes së çështjeve të mëdha të të gjitha natyrave, me të cilat përballet një vend, një shtet, një popull.

Pushtetuesja, domethënë qeveria e dalë pas zgjedhjeve të përgjithshme të lira e të ndershme, pasi vjen në pushtet, duhet, normalisht, sidomos në vendet mirëfilli demokratike, të mos fusë as hundët, as duart e as ndonjë gjymtyrë tjetër të trupit, në veprimtarinë e Kushtetueses, si dhe të mos ndikojë në asnjë mënyrë në vendimet që kjo merr.

Për pasojë të pashmangshme, e para, pra, Kushtetuesja, dikton kushtet e mirëqeverisjes të përcaktuara nga Kushtetuta, të cilën Fjalori i Gjuhës shqipe (Tiranë, 2006) e përkufizon me këto terma: “Ligji themelor i një shteti, që përcakton regjimin a rendin politik, ekonomik e shoqëror të tij, si edhe sistemin e zgjedhjeve, organet qendrore e vendore, mënyrën e qeverisjes, të drejtat dhe detyrat e qytetarëve etj.”, ligj ky që duhet respektuar e zbatuar nga të gjithë, të mëdhenj e të vegjël, të pasur e të varfër, të ditur e të paditur etj., etj.

Për pasojë po aq të pashmangshme, e dyta, pra, Pushtetuesja, nuk mund e nuk duhet kurrsesi të dalë mbi të parën, pra mbi Kushtetuesen, çka nënkupton qartas se pushtetarët dhe institucionet qeverisëse e të gjitha niveleve, që nga Presidenti e Kryeministri me ministrat e tij, që nga prokurori i përgjithshëm i republikës e deri te juristi më i thjeshtë etj., etj., duhet të respektojnë pavarësinë e plotë të Kushtetueses e të zbatojnë pikë për pikë vendimet e saj.

Brenda këtij kuadri, në Republikën e Përçudnuar të Shqipërisë, beteja që po zhvillohet aktualisht midis Presidentit Meta e një pjese të rëndësishme të opozitës, nga njëra anë, dhe qeverisë (ramiste, ramiane apo rameske?), nga ana tjetër, më shtyn ta analizoj këtë situatë fort të ndërlikuar në dritën e një arsyetimi në mos origjinal (deri më sot, gjithsesi), të paktën interesant e befasues (deri diku) për ato e ata që ende gjykojnë se loja me fjalët jo rrallëherë mund të tërheqë vëmendjen e opinionit publik dhe ta ndihmojë atë të kuptojë më mirë se ç’po ndodh këto dekadat e fundit me fatet e drejtësisë shqiptare.

Ja, pra, çka po u propozoj lexueseve e lexuesve të mi të nderuar që nuk e kanë për zakon të ngopen me lugë të zbrazët: Në njërin prej paragrafëve të mësipërm, besoj t’ju ketë tërhequr vëmendjen një lojë fjalësh në fjalinë “Kushtetuesja dikton kushtet e përcaktuara nga Kushtetuta”, ku termi “kusht” shfaqet tri herë dhe, sipas interpretimit tonë detyrimisht të ndryshëm nga gjithë të tjerët, ai, të paktën në gojën e Presidentit Meta e të një pjese fort të përfillshme të opozitës, jehon, për të mos thënë gjëmon, si një kushtrim.

Një kushtrim për t’u bashkuar, qoftë edhe përkohësisht, përballë Pushtetueses, në përbërje të së cilës kemi, së pari, fjalën “pushtet” (mos vallë kjo fjalë, pra. “pushtet”, vjen nga fjala “pusht”?) dhe, së dyti, idenë e pushtimit.

Një pushtim ose, më saktë, një orvatje e rrezikshme për pushtim nga ana e qeverisë (ramiste, ramiane apo rameske?) të sferës që duhet të mbulojë e të mbrojë pa lëshim e pa kompromis Kushtetuesja, pra, Gjykata Kushtetuese, e cila vërtet rrezikon, në kundërshtim me vetë frymën e Kushtetutës së Republikës së Përdhosur të Shqipërisë, të instrumentalizohet, të monopolizohet dhe të zvetënohet nga partia dhe qeveria socialiste e Kryeministrit Rama me shpurën e tij servilisht të paskrupullt.

Si përfundim, pa dashur t’i zhys thellë e më thellë lexueset dhe lexuesit e mi të nderuar në pesimizmin më të errët, mund të pohoj që nëse kjo përplasje midis dy palëve në konflikt mbyllet me ngadhënjimin e Pushtetueses mbi Kushtetuesen, atëherë në Republikën e Sakatuar të Shqipërisë, demokratura e pamëshirshme (ramiste, ramiane apo rameske?) mund të shndërrohet në një diktaturë satrapo-sulltanofaraoneske të pashoqe dhe neve, shqiptarëve fatkeq, nuk do të na mbetet veçse të kthehemi në skllevër fizikisht të fikur, mendërisht të menderosur, shpirtërisht të shpërbërë dhe gjenetikisht të gjymtuar

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...