“Çdo akt burracak dhune nuk duhet të tolerohet”, Meta: Një shoqëri demokratike nuk mund të ketë evolucion pa fuqizimin e rolit të gruas

Hënë, 25 November 2019 10:40

Presidenti Ilir Meta ka reaguar përmes një statusi në facebook, në ditën botërore kundër dhunë ndaj gruas.

“Fenomeni i dhunës ndaj grave dhe vajzave nuk duhet rreshtur kurrë së dënuari. Çdo akt burracak dhune, verbale e fizike ndaj tyre, nuk mund dhe nuk duhet të tolerohet, sidomos nga një shoqëri si e jona, që familjen dhe vlerat e saj i vlerëson të shenjta.” shkruan Meta ndërsa shton se një shoqëri demokratike dhe sociale, nuk mund të ketë evolucion pa inkurajuar përpjekjet për fuqizimin e rolit të grave, veçanërisht pa përmbushur detyrimet për mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Në vijim Meta shkruan se Presidenca solidarizohet sot me nismën “Ta ngjyrosim botën portokalli.

“Ndaj edhe sot në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave, në mbështetje të fushatës botërore “Ta ngjyrosim botën portokalli”, Institucioni i Presidentit të Republikës do të solidarizohet me këtë nismë jetike për shoqërinë tonë, dhe domosdoshmërinë e dënimit me të gjithë forcën e ligjit të dhunës verbale e fizike ndaj grave dhe vajzave.” -përfundon Meta postimin e tij në facebook.

Login to post comments