Kryeredaktori i Dojçe Veles, Bahri Cani ishte i ftuar në studion e SYRI TV, ku komentoi situatën politike në vend pasi Partia Popullore Europiane miratoi një rezolutë ku bën thirrje për zgjidhjen e krizës në Shqipëri.
Cani tha se Gjermania është një prej vendeve që po mundohet të ndihmojë Shqipërinë të dalë nga qorrsokaku, pasi kriza politike nuk është e lehtë.
‘Te PPE është manifestuar në një formë qëndrimi i Gjermanisë për kushtet që duhet të plotësojë Shqipëria. Kjo rezolutë mund të konsiderohet si një hap për të nisur punën për plotësimin e këtyre kushteve. Gjermania ka qenë për hapjen e negociatave, me nëntë kushte që duhen plotësuar nga Shqipëria,’ tha ai.
Por ai shprehu dyshimet nëse kushtet gjermane do plotësohen brenda afateve, çka kushtëzon një përgjigje negative edhe pranverën që vjen për negociatat.
‘Kam frikë që kushtet nuk mund të plotësohen brenda afateve. Shqipëria është vërtet në një situatë tepër të rëndë. Por nisur nga deklarimet politike, kam përshtypjen se Shqipëria është pranë zgjidhjes së problemeve. Kam frikë se edhe në mars, përgjigjia do jetë negative,’ tha ai.
Cani tha se Rama ka refuzuar ndërhyrjen e ndërkombëtarëve për krizën, por shtoi se të huajt duhet të ndërhyjnë pasi palët janë shumë larg njëra-tjetrës.
‘Edi Rama ka refuzuar ndërhyrjen e ndërkombëtarëve në krizën politike në Shqipëri. Ai ka thënë se nuk ka nevojë për negocim ndërkombëtarë sepse problemet e tyre i zgjedhin vetë. Rama dhe qeveria e tij pretendon se nuk ka krizë në vend, por në fakt qëndron ndryshe. Rama thotë se vendi nuk ka krizë.
Nuk jam i bindur se problemet mund të zgjidhen vetë pasi humnera mes palëve është shumë e thellë. Faktori ndërkombëtar mund të luajë një rol më të rëndëisshëm, por për momentin nuk ka ndonjë iniciativë,’ tha ai.
Cani tha se manovrat e fundit të Edi Ramës janë të kuptueshme.
‘Rama, sa herë ndodh diçka e keqe për Shqipërinë, ka tendencën që t’ia hedhë fajin të tjerëve,’ tha ai.