Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari, nënkryetarja Kejdi Mehmetaj dhe kryetarja e LRI, Floida Kërpaçi ishin sot në mbështetje të protestës së banorëve të ”Unazës së Re” në Prokurorinë e Tiranës. Në një deklaratë për mediat, Braimllari tha se KÇK e prezantuar sot nga kryeministri Edi Rama, ka kryetar dhe frymëzues kreun e qeverisë. Sipas tij, qëllimi është sabotimi i SPAK. ”Edi Rama kërkon të kapë dhe të vulosë një herë e përgjithmonë shkatërrimin e reformës në drejtësi. Sepse, Edi Ramës i duhet Gjykata Kushtetuese me ushtarë të tij në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me ligjin pikërisht për të ligjëruar hajdutërinë e tij tek ”Unaza e Re””.
Deklarata e plotë
Sot në ditën kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave merr më shumë simbol protesta e banorëve të unazës së re. Sepse, pjesa më e madhe e atyre të cilët janë dhunuar nga Policia e Shtetit kanë qenë gra dhe fëmijë. Ju të gjithë i keni transmetuar planet sesi nënave, motrave të unazës i hidhej gaz lotsjellës dhe i ushtrohej presion nga segmente të caktuara të policisë së shtetit. Sot, në këtë ditë kaq të rëndësishme merr simbol kjo protestë e cila nuk frymëzoi vetëm banorët e Tiranës por frymëzoi të gjithë shqipërisë. Sepse kauza e tyre është e drejtë, kauza e banorëve të unazës së re është e drejta e cila buron nga e drejta e tyre për të mbrojtur pronën.
Ndaj dhe sot prokuroria duhet të nisë hetimet, prokuroria duhet të pezullojë hetimet sepse ajo zonë në Unazën e re është një zonë krimi. Të gjithë shqiptarët e mbajnë mend sesi Edi Rama tallej ditën e parë me protestën e banorëve Unazës së Re. E mbani mend si i tha, nuk kam para për dëmshpërblim sepse paratë që do ju jap juve do t’i coj për kopështe dhe për çerdhe. Çfarë ndodhi dy javë më pas, që ato para nuk shkonin për cerdhe për kopështe për spital dhe për shërbim publik por ato shkonin drejtëpërdrejtë për xhepin e Edi Ramës, Damian Gjiknurit dhe Afrim Qendros.
Edi Rama, Damian Gjiknuri, Afrim Qendro lëvizin të lirë nëpër Shqipëri ndërsa banorëve të Unazës së Re i ushtrohet presion. Sot Edi Rama prezanton përpara shqiptarëve, nismën e tij “kap car të kapësh” por harron që kryetari, drejtuesi, frymëzuezi i një bande në Shqipëri është vetë drejtëpërdrejtë Edi Rama. Ashtu siç përdori Arta Markun si kukull të tij në prokurori, ashtu do të përdorë çdo prokuror duke i bërë presion me vettingun. Ndaj sot Edi Rama kërkon të kapë dhe të vulosë një herë e përgjithmonë shkatërrimin e reformës në drejtësi. Edi Ramës i duhet Gjykata Kushtetuese me ushtarë të tij në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me ligjin pikërisht për të ligjëruar hajdutërinë e tij tek Unaza e Re.
Për të ligjëruar një herë e përgjithmonë koncesionet e tij klienteliste. Për të ligjëruar një herë e përgjithmonë, ligjin më ekstrem të parë ndonjëherë në ndonjë parlament pluralist, ligjin për teatrin kombëtar. Sot prokuroria ka shansin historik të rreshtohet në krahun e banorëve, në krah të drejtësisë dhe kundër oligarkisë që po i mërr shpirtin qytetarëve të këtij vendi.