Mbyllja e portalit “JOQ”, Albana Vokshi: Rama po përdor gjendjen e emergjencës për hakmarrje ndaj mediave kritike

Saturday, 30 November 2019 13:19

Ish-deputetja demokrate, Albana Vokshi ka reaguar lidhur me mbylljen e portalit kritik ndaj qeverisë “JoQ” me urdhër të kryeministrit Edi Rama.

Vokshi shprehet se Rama po e përdor fatkeqësinë kombëtare dhe gjendjen e emergjencës për hakmarrje ndaj mediave kritike.

Mbyllja e “JoQ”, shprehet Vokshi, është hakmarrje personale e Edi Ramës për një media online që refuzon teatrin e kryeministrit nga gërmadhat e tërmetit.

Mbyllja e portalit ka sjellë kritika të shumta ndaj qeverisë, duke e akuzuar për censurë ndaj medias. Lidhur me rastin reagoi edhe Këshilli Shqiptar i Mediave, që e cilësoi të jashtëligjshme mbylljen e “JoQ”.

Reagimi

Në një shënim në rrjetet sociale, Albana Vokshi shkruan:

“Portali Jeta Osh Qejf është njëri prej tyre, prandaj Edi Rama ka urdhëruar mbylljen e kësaj media online. Jeta Osh Qejf, prej vitesh është ndër portalet më të klikuara në Shqipëri. Në një format ndryshe, portali u bë i njohur për publikimin pa censurë të shqetësimit të qytetarëve, për denoncimin e keqqeverisjes, mungesës së shërbimeve nga institucionet shtetërore dhe korrupsionin e tyre, pavarësisht se kush qeveris vendin.

Gjatë këtyre ditëve të fatkeqësë kombëtare, JoQ, ka qenë ndër portalet më aktive duke informuar në kohë reale për situatën e rëndë në zonat e prekura nga tërmeti, si dhe duke bërë transparencë në lidhje me keqmenaxhimin e situatës nga ana e qeverisë, abuzimin me fondet e emergjencës, vjedhjen e ndihmave.

Urdhri për të mbyllur Jeta Osh Qef dhe procedimi penal për administratorët e JoQ nuk ka lidhje me lajmet e pavërteta, të cilat mund të ndodhin, kur qeveria ka lënë qytetarët dhe mediat në terr informativ. Mbyllja e JoQ është hakmarrje personale e Edi Ramës për një media online që refuzon teatrin e kryeministrit nga germadhat e tërmetit.

#StopCensurës”

Login to post comments