Ish-Kryeministri Sali Berisha e ka etiketuar si “një çorganizim të organizuar për vjedhjen e ndihmave”, situatën e vështirë që po detyrohen të përjetojnë mijëra qytetarë në vend pas tërmetit.
Në një mesazh në Fb, Berisha shprehet: Njerëz prej katër ditësh deklarojnë me zë dhe figurë në mediat e qeverisë se janë jashtë prej katër ditësh dhe nuk kanë marrë asnjë ndihmë. Mungesë e madhe në ushqime. Zyrtari i bashkisë deklaron se shpërndahen veshje dhe vetëm miell, qumësht dhe ujë, asnjë ushqim tjetër. Njerëzit presin 24 orë për të marrë një thes miell. Të tjerët e marrin pa vonesë, ndihmat grabiten.
Skena dramatike shfaqin mediat e qeverisë në ndarjen e ndihmave dhe mungesën e ushqimeve në pallatin e sportit në Durrës ku shpërndahen ndihmat për qytetin. Ju bëj thirrje mediave t’i ndjekin ato.
Qytetaret të revoltuar akuzojnë se kanë katër ditë në lagjen 13 nuk ka ardhur njeri për t’i parë, se i kanë lënë pa asnjë ndihmë, asnjë çadër, asnjë lloj gjëje dhe se flenë jashtë.
Kurse qytetarë të tjerë të revoltuar shprehen me zë dhe figurë se presin 24 orë tek Pallati i Sportit, për të marrë një thes miell. Të tjerë akuzojnë për shpërndarje me mik dhe vjedhje të ndihmave.
Shpërndarësit përgjegjës të bashkisë deklarojnë para kamerave se kemi vetëm veshje, miell, qumësht dhe ujë, por asgjë tjetër, ndërkohë kreu i Meduzës dhe derrat e tij të majmur kanë ndaluar të gjitha ndihmat e tjera përveçse atyre monetare. Ai gjer sot nuk kanë caktuar asnjë fond buxhetor për blerjen e ushqimeve dhe ndihmave të tjera jetike për ata që kanë humbur çdo gjë.
Falë këtij çorganizimi të organizuar sipas parimit “ujku mjergull don”, mijëra e mijëra njerëz përjetojnë vuajte ferri.
Dënoj me ashpërsinë më të madhe kaosin dhe falsitetin e gjendjes së jashtëzakonshme Rama - Çuçi dhe ju bëj thirrje qytetarëve të ndihmojnë sipas mundësisë me çdo gjë të mundshme të dëmtuarit nga tërmeti!