Opozita i ka kaluar gjashtë vitet e shkuara duke mos u marrë me shumë detyrime të një opozite, por duke u përqendruar vetëm në një drejtim: kritikat, denoncimet, sulmet dhe përpjekjet për të rrëzuar qeverinë, në çdo rast.

Gjatë këtyre viteve, opozita ka theksuar se kjo qeveri ndërton vetëm fasada, pas të cilave bashkëpunon me krimin dhe oligarkët për grabitjen e Shqipërisë, dhe se sa më gjatë të qëndrojë në pushtet, aq më i madh është rreziku për vendin—madje edhe atëherë kur ky përshkrim mund të dukej i ekzagjeruar.

Por në çastet kur mosveprimet apo veprimet e qeverisë vërtet po vënë në rrezik jetën e qytetarëve, në çastet kur po shihet nga të gjithë se grabitja e vendit nga qeveria me oligarkët ka rrënuar shtetin, opozita ka ndërprerë kritikat dhe denoncimet ndaj qeverisë.

Në çastet kur Kryeministri Rama po ngre një tjetër fasadë për të mashtruar, një fasadë që mund të sjellë pasoja të rënda—atë se qeveria po i shëron pasojat dhe njerëzit do të jenë të mbrojtur—opozita po hesht.

Për gjendjen e mjeruar të shtetit dhe pasojat e rrezikshme të tërmetit për muajt dhe vitet e ardhshme duhet reflektuar sa më thellë, për të parandaluar tragjedi edhe më të mëdha se ajo e 26 nëntorit. Por një gjë është e qartë që sot, pa pasur nevojë për shumë analiza: përballë tërmetit, shteti shqiptar u shkërrmoq në çast.

Tërmeti zbuloi se ne kemi një shtet prej letre, që nuk ka forcë, nuk ka kapacitete në infrastrukturë, mjete dhe organizim, për të përballuar dhe lehtësuar pasojat e fatkeqësive natyrore apo të ndonjë natyre tjetër.

Sikurse u pa qysh në momentet e para të tërmetit, e gjithë struktura e menaxhimit të emergjencave përbëhet vetëm nga punonjës si trupa fizikë dhe nga fadromat e oligarkëve. Absolutisht asnjë kapacitet tjetër.

Fatmirësisht, ndihma që vërshoi nga çdo anë e botës shërbeu për të ndihmuar shqiptarët e rrezikuar dhe në nevojë, por, fatkeqësisht, edhe për të larguar vëmendjen nga shteti ynë i falimentuar.

Madje, pasi përpjekjet për shpëtimin e shqiptarëve ua la në dorë të huajve, vetë Edi Rama filloi të aktronte, duke e fshehur kryeministrin e falimentuar me imazhin e rremë të shpëtimtarit të madh—njeriut të thirrur në skenë nga historia në çastin e nevojës së kombit.

Makineria e tij e propagandës u mobilizua menjëherë për të krijuar Mbinjeriun Rama—një përzierje e heroit epik, profetit hyjnor dhe patriarkut të dhimbshëm—dhe pamjet e tij teksa mëshiron të mjerët, shëndosh të lënduarit, fuqizon të pamundurit, u jep shpresë të humburve, janë bërë imazhi kryesor i fatkeqësisë që po u afrohet shqiptarëve.

Kamerat e ndjekin atë ngado, për të përcjellë drejtpërdrejt çdo fjalë të tij, çdo emocion, çdo vepër. Ato nuk humbasin asnjë prekje të duarve të tij, asnjë dridhje të zërit apo lëngëzim të syve. Pastaj, kamerat largohen duke ofruar plane të mëdha, në të cilat duket nga larg një shtat legjendar që ecën ngadhnjyes mbi fusha gërmadhash të shkaktuara nga natyra e pabesë.

Sheshet plot rrënoja e dhimbje njerëzore janë kthyer në një skenë gjigande, ku luhet një shfaqje me vetëm një aktor, tek i cili janë drejtuar të gjithë prozhektorët dhe është mbërthyer e gjithë vëmendja e kombit që kërkon shpëtim.

Ndërkohë, jashtë kamerave dhe dritave të skenës, po shpaloset tragjedia jonë e vërtetë, ajo e viktimave të tërmetit dhe viktimave të traumës së frikës, pasigurisë dhe pafuqisë.

Larg kamerave që ndjekin Edi Ramën, ndodhen njerëz të lënë në mëshirën e fatit apo të kaosit. Njerëzit që nuk dalin në kamera janë viktimat e panumërta të shtetit të falimentuar. Janë ato që trajtohen në mënyrë jonjerëzore, duke u hedhur copa buke mes hekurave të izolimit, apo duke i nxjerrë nga shtëpitë drejt e në rrugë.

Jashtë dritave të skenës ku luan Edi Rama, po mbruhet një fatkeqësi kombëtare, me pasoja më të mëdha se ato nga goditja e parë e tërmetit: mijëra godina duhet të braktisen përgjithmonë ose të riparohen; dhjetëra mijëra familje duhet të shpërngulen; fshatra dhe lagje qytetesh duhet të rivendosen; i tërë bregdeti duhet të transformohet nga ana urbane; industria e turizmit dhe dhjetëra mijëra familje të lidhura me të duhet të presin pasojat shkatërruese në sezonin e ardhshëm; ndërsa njerëzit, më shumë se kurrë më parë, ndjejnë shtysën për ta braktisur vendin.

Terri informativ i qeverisë dhe kamerat që fokusohen vetëm tek Edi Rama ia kanë arritur ta tregojnë këtë gjendje si thjesht një fatkeqësi natyrore, që kërkon vetëm pak durim dhe solidarizim, pak më shumë dashuri si vëllezër e motra dhe gjërat do të bëhen mirë, madje viktimat do të jenë më mirë se më parë dhe e ardhmja më e sigurt se më parë.

Përballë kësaj gjendjeje, sot, Shqipëria ka nevojë për opozitën, më shumë se ç’ka pasur ndonjëherë gjashtë vitet e fundit.

Sot, është çasti që opozita t’u tregonte shqiptarëve se bashkë me pasojat e tërmetit duhet të kurojmë edhe plagët e prapambetjes, varfërisë dhe pafuqisë që tërmeti i shfaqi aq pamëshirshëm.

Sot. opozita duhet të shpaloste të vërtetën, duke goditur teatrin tragjik të udhëheqësit megaloman, që përsillet rreth fatkeqësisë së popullit të vet. Duke i drejtuar prozhektorët te njerëzit në nevojë. Duke ekspozuar problemet. Duke informuar për ato që qeveria fsheh. Duke denoncuar keqqeverisjen, shtetin e oligarkëve dhe të luksit, që ka grabitur çdo gjë që sot duhet të ishte në shërbim të qytetarëve.

Opozita nuk ka nevojë të bëjë thirrje për solidaritet fals—shqiptarët dhe gjithë bota e dëshmuan solidaritetin pa ua kërkuar politikanët—por duhet të bëjë presion që qeveria të marrë përgjegjësitë dhe të heqë dorë nga propaganda.

Opozita nuk ka nevojë të falënderojë hotelet dhe llixhat, këtë e bën çdo çast Kryeministri, por duhet të denoncojë kushtet çnjerëzore në kampe dhe nxjerrjen e njerëzve në rrugë nga banesat e dëmtuara.

Opozita nuk duhet të thotë mos bëni politikë, por duhet të dënojë dhunën ndaj lirisë së shprehjes, të cilën  qeveria po e ushtron, gjoja, në emër të njerëzve.

Opozita nuk duhet të sillet si këshilltare teknike e qeverisë, por të propozojë reformimin e thellë të qeverisjes.

Opozita duhet të bëhet zë i shqetësimeve të njerëzve, t’u japë zë atyre që po shpërfillen, po keqtrajtohen, po harrohen. Opozita duhet të bëhet antidoda e propagandës së Ramës, duke e demaskuar atë propagandë që, nëse do të jetë e suksesshme, mund të sjellë pasoja për njerëzit.

Opozita nuk ka arsye të ndihet e kompleksuar nga rëndesa e tragjedisë njerëzore dhe nuk duhet të bjerë në kurthin e përshkrimit të situatës me fjalët dhe frymën e propagandës së Edi Ramës.

Opozita nuk duhet as të bjerë në banalitetin dhe pandjeshmërinë e shfaqjeve të veta propagandistike, në mediokritetin e shfrytëzimit të momentit për të propozuar heronjtë e llojit të vet si konkurencë e heroit epik Edi Rama.

Mbi të gjitha, opozita nuk duhet të bjerë në naivitetin e pranimit të thirrjeve prej sirene të Ramës për bashkëpunim në emër të viktimave dhe të kombit. Edi Ramës takimi me opozitën i duhet për fasadë, dhe opozita nuk mund të justifikohet prapë nesër se nuk e kemi ne fajin po Edi Rama që na gënjeu prapë për ato që ramë dakord në tavolinë për kombin.

Opozita duhet të rrokë momentin për të nxitur njerëzit në një reflektim mbi veten, shoqërinë dhe politikën, për shkatërrimet që i kemi sjellë vetes dhe verbërinë e qasjes për të ndërtuar një shoqëri ku nuk ka asnjë liri në politikë dhe ekonomi, ku nuk ka asnjë moral veç parasë, dhe ku nuk sundon ligji, por i forti.

Në fund, opozita duhet t’u afrojë njerëzve një vizion për ta kthyer këtë reflektim të tyre në një energji për ndryshim.

Opozitë do të thotë ndryshim—për solidarizim kemi qeverinë.