Shqipëria është në mesin e një prej tragjedive më të rënda që ka goditur vendin ndër dekada. Vetëm një javë më parë, një tërmet me pasoja fatale tronditi vendin.
Por pavarësisht se emergjenca kombëtare është prioritet dhe vendi nuk e ka kaluar akoma tronditjen, duket se Kuvendi i Shqipërisë ka një tjetër prioritet.
Në seancës e 5 dhjetorit, Kuvendi pritet të mblidhet për të zgjedhur kryeprokurorin e ri.
Në garë janë emrat e Olsjan Çelës dhe Arta Markut.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka dorëzuar në Kuvend propozimet e tij më datë 22 nëntor 2019. Sipas Kushtetutës, Parlamenti ka afat 30 ditë nga momenti i propozimit, për të zgjedhur Prokurorin e ri të Përgjithshëm. Pra, ka afat deri më 21 Dhjetor 2019.
Mbetet i pashpjegueshëm ky nxitim i qeverisë në Kuvend dhe zgjedhja e një momenti të papërshtatshëm për emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Në raste të tjera, siç ndodhi me gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i votoi vetëm 2 ditë përpara skadimit të afatit.
Ky votim po bëhet jo vetëm me nxitim, por pa transparencë dhe pa vëmendjen e duhur, sepse shqiptarët këto ditë, por edhe politika, është e fokusuar tek pasojat e tërmetit të 26 nëntorit.