Presidenti amerikan Donald Trump ishte i pranishëm në një drekë pune në kuadër të samitit të NATO-s. Në drekën e organizuar ka munguar Kryeministri Edi Rama.
Sipas një video të publikuar nga Fox News, në drekë ishin të pranishëm kryetarët e shteteve apo qeverive, të vendeve, që kanë një kontribut 2% e sipër të GDP për mbrojtjen ushtarake.
Shqipëria, dhe disa vende të tjera anëtare të NATO-s, ende nuk kanë arritur objektivin 2% të GDP për ushtrinë.
Në korrik të 2018, vendet anëtare të NATO-s pranuan propozimin amerikan pas ultimatumit të Presidentit Trump për të çuar buxhetet e mbrojtjes në 2 % të GDP-së. Presidenti amerikan kërkoi që buxheti i mbrojtjes të ishte 4 %, por pas disa kundërshtive u ra dakort në vlerën e 2 %.
Vetëm nëntë nga të 29 vendet anëtare përmbushin objektivin prej 2 për qind të produktit të brendshëm të përgjithshëm për shpenzimet e mbrojtjes së aleancës.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se përsa i përket buxhetit qendror, “SHBA do të paguajën më pak, Gjermania do të paguajë më shumë, kështu që tani Amerika dhe Gjermania do të paguajnë të njëjtën gjë”.
Shtetet e Bashkuara paguajnë aktualisht rreth 22% të buxhetit qendror të NATO-s. Duke filluar nga viti 2021, SHBA dhe Gjermania do të kontribuojnë secila nga rreth 16%.