Nga Red Varaku
Ka kaluar një javë pas tërmetit që goditi Shqipërinë , dhe situata në terren vazhdon të mbetet e njëjtë . Kjo sepse kryeministri në vend merrte në dorë situatën , e pa këtë katasrofë si një mundësi të artë për të riparuar imazhin e tij , i cili ishte në pikën më të ulët.
Si pasojë , gra, pleq dhe fëmijë vazhdojnë të flenë nëpër çadra me ndihma kryesisht humanitare, pa ilaçe dhe asnjë ndihmë nga shteti. Shteti ka kapitulluar totalisht. Është aq i papërgjegjshëm, sa në vend që të kishte në krah gjeneralë, ushtarakë apo prokurorë, shfaqet me bamirës, kjo për t’i ikur përgjegjësisë dhe për tu shfaqur si viktimë . A thua se kjo katastrofë zgjidhet me bamirësi!?
Në fakt atë që duhet ta bënte qeveria, po e bën Opozita. Në vend që të dilte fotografi me fatkeqët, ajo mblodhi në një takim ekspertët më të mirë dhe doli me propozime konkrete, praktike dhe lehtësisht të realizueshme.
Qëllimi ishte gjithashtu realist, që t’i shkohet menjëherë në ndihmë njerëzve në nevojë, larg llafeve, pallavrave, fotografive, bamirësve etj. Në fakt , në vend që të kapardiset si gjel mbi plehun e fatkeqësisë, këtë bën çdo shtet serioz në rrethana të tilla.
Por, ky propozim u refuzua menjëherë nga kryeministri. U refuzua sepse ishte në thelb një propozim, që e demaskonte plotësisht propagandën qeveritare të këtyre ditëve.
Propagandën e një një portokallie shëtitëse me një kryeklloun në dukje serioz, e cila po i bënte lavazh trurit të lodhur të shqiptarëve, në një përpjekje të hapur për ta përdorur këtë fatkeqësi për qëllime të ulëta politike, për ta kthyer këtë fatkeqësi në funksion të shplarjes së fytyrës së kriminalizuar të kësaj qeverie. Një përpjekje e ulët për të kuruar imazhin e rrënuar të kësaj qeverie, pikërisht në ditën më të vështirë për këta qytetarë.
Por çfarë synon në thelb plani i Opozitës dhe pse ky plan u hodh poshtë prerazi dhe me nxitim nga kryeministri?
Në një shikim të shpejtë, pika e parë dhe e dytë e propozimit të Opozitës lidhet me fazën e përshpejtimit të procesit të vlerësimit të dëmeve, nëpërmjet angazhimit të 500 apo më shumë inxhinierëve, që në mënyrë vullnetare i kanë ofruar këto kapacitete.
Kjo fazë është një hap i domosdoshëm, sepse jep një bilanc dhe qartësi të dëmeve dhe i orienton qytetarët për vendimet që duhet të marrin për të ardhmen e tyre. Në fakt nëse ka panik sot, kjo nuk lidhet më me goditjet sizmike, por lidhet me paqartësinë që egziston për të ardhmen. Qytetarët kanë nevojë urgjente për përgjigje të sakta dhe të qarta.
Gjithashtu, nëpërmjet këtij vlerësimi krijohet edhe një faturë e qartë dhe transparente e dëmeve. Transparenca është një nga gjërat më të rëndësishme të kësaj situate . Shoqëria duhet të dijë sa është fatura e dëmit në tërësi, kush janë përgjegjësit për këtë katastrofë, ndërsa qytetarët duhet të dinë sa është dëmi në banesat e tyre dhe a janë ato dëme të riparueshme.
Por, pse i refuzon kryeministri këto dy pika që duken krejt normale në një situatë të tillë emergjence humanitare?
Së pari, sepse në këtë mënyrë, ai ka mundësi të fshehë dhe administrojë provat ,ngaqë sa vjen edhe po përforcohet ideja që shkaku i fatkeqësisë nuk është vetëm tërmeti apo destini, por kryesisht vetë njeriu. Në rastin konkret vetë kryeministri dhe Vangjush Dako. Pra, kuptohet se pse ai nuk do që ky proces të jetë transparent, ndaj ka filluar pabesisht shembjet, për të fshehur përgjegjësitë .
Së dyti, ai do që këtë proces ta administrojë vetëm qeveria, sepse nëpërmjet këtij procesi njerëzit e tij në terren mund të spekulojnë me kostot dhe njëkohësisht me njerëzit, duke i ardhur në ndihmë vetëm votuesve socialistë, ose atyre që paguajnë nën dorë. Ka të dhëna serioze që korrupsioni me projektin e rindërtimit sapo ka nisur, duke u kthyer në një proces selektiv në këmbim të parave. Emërimi i Ahmetajt në krye të procesit të rindërtimit është një ogur shumë i zi, që mafia e ndërtimeve mund të infiltrohet në këtë proces.
Pika e tretë e propozimit të Opozitës , lidhet me një fazë që vjen menjëherë pas vlerësimit real të d?meve, lidhet me mënyrën se si do të kompensohet ose riparohet ky dëm. Sipas Opozitës , janë 150 milion dollarë që do t’i shkojnë 10 oligarkëve në buxhetin e 2020.
Opozita sugjeron që meqë jemi në proces të verifikimit të buxhetit dhe meqë jemi në gjendjen e fatkeqësisë natyrore , në vend të barcaletave nëpër ekrane , të përdoren fuqitë që jep ligji për të anuluar kontratat , në mënyrë që këto 150 milion dollarë të shkojnë tek njerezit që janë në nevojë.
Po pse heziton sërish kryeministri?
Pse e ka kaq të vështirë që në vend që të përdorë fuqinë e ligjit për të nisur menjëherë procedurat për kompensimin e familjeve të dëmtuara, vrapon si i marrosur nëpër gërmadhat e papërgjegjshmërisë së tij? A thua është vërtet aq i çmendur sa mendon se njerëzit kanë nevojë të shohin surratin e tij, në vend se të kenë një përgjigje të qartë për dëmet dhe mënyrën se si do të riparohen ato dëme?
Sigurisht që edhe kjo strategji nuk është ashtu kot. Edhe kjo ashtu si çdo dinakëri tjetër e këtij kryeministri, e ka një shpjegim.
Së pari, sepse nuk do që këto konçesione të duken si të panevojshme në sytë e shqiptarëve siç pretendon Opozita, ndaj përmend të sëmurë dhe dializa në argumentin e tij. Gjithashtu, përmes këtij refuzimi ai rrëzon një pretendim të kahershëm të Opozitës, për bashkëpunimin e tij me oligarkët.
Së dyti, ai po e përdor fuqinë që i jep ligji, jo për të riparuar dëmet e këtyre qytetarëve, por për të riparuar imazhin e tij të rrënuar si kryeministri më i korruptuar i këtyre 30 vjetëve. Ndaj shfaqet si Zeusi bamirës pranë banorëve të shokuar.
Ai e shikon atë si një mundësi të artë për të varrosur skandalet e mëdha të kësaj qeverisje që fillojnë nga kanabizimi i vendit, kriminalizimi i shoqërisë, përgjimet e BILD, zgjedhje lokale pa Opozitën , korrupsionin kapilar nëpërmjet PPP-ve, kolapsin e sistemit gjygjësor etj. Ai po tenton që që të ndërtojë një imazh të ri mbi rrënojat e kësaj fatkeqësie.
Gjithsesi duket që të gjitha këto përpjekje janë të dështuara. Tani që valët e goditjeve sizmike po shkojnë drejt shuarjes, njerëzit kanë filluar të kuptojnë, që kjo nuk është më një çështje që mund të zgjidhet as me propagandë, as me bamirësi dhe as me cirk.
Ata e kanë kuptuar detyrën që ka shteti në këto situata dhe tashmë e kanë të qartë që kjo situatë nuk zgjidhet as me lotë as me lutje. Kjo situatë zgjidhet me një ndërhyrje strukturore të shtetit, me veprime konkrete në terren. Pra, me vlerësim real dhe kompensim konkret të qytetarëve, dhe jo me propagandë dhe llafe boshe