Presidenca njoftoi se sot në ora 12:00, në Institucionin e Presidentit të Republikës hidhet shorti për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të ri të Emërimeve në Drejtesi (KED). Zëdhënësi Tedi Blushi bëri të ditur se gjithçka do të transmetohet live për transparencë të plotë.
Më datë 2 dhjetor, Preidenca njoftoi se Presidenti Meta, në mbështetje të nenit 149/d, pika 3, të Kushtetutës, nenit 221 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të ndryshuar, me Vendimin nr. 403, datë 25.11.2019 - ka vendosur që, ditën e enjte, datë 5 dhjetor 2019, ora 12.00, në sallën “Skënderbej” në Presidencë, të hedhë shortin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili do të funksionojë përgjatë vitit 2020.
Presidenti i Republikës, thuhet më tej, me Vendimin nr.404, datë 25.11.2019 ka miratuar Rregulloren “Për përcaktimin e procedurës dhe rregullave të hedhjes së shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”.
Në zbatim të nenit 221, të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të ndryshuar, Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorsë, kanë dërguar në datë 15.11.2019, pranë Institucionit të Presidentit të Republikës listat me emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët plotësojnë kushtet e parashikuara në ligj, për t`u përfshirë në shortin që do të hidhet për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Institucioni i Presidentit të Republikës, në zbatim të pikës 1 dhe 2 të ligjit nr. 115/2016, është në komunikim zyrtar me institucionet respektive për administrimin e informacionit të azhornuar për të garantuar që në momentin e hedhjes së shortit në datën 5 dhjetor 2019, ora 12:00, për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi do të përfshihen në short sipas ligjit, vetëm ata magjistratë (gjyqtarë dhe prokurorë) dhe gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, të cilët, plotësojnë kushtet e parashikuara në ligj.
Institucioni i Presidentit të Republikës njofton zyrtarisht Avokatin e Popullit, për të qenë i pranishëm si vëzhgues i të gjithë procedurës së hedhjes së shortit.
Institucioni i Presidentit të Republikës fton Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Kryetarin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Kryetarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, apo institucione të tjera, të jenë të pranishëm në momentin e hedhjes së shortit nëpërmjet përfaqësuesve të caktuar prej tyre.
Institucioni i Presidentit të Republikës bën me dije se ka parashikuar se përgjatë momentit të hedhjes së shortit prania e medias është e lirë, si dhe ka marrë të gjitha masat që ky proces t’i nënshtrohet plotësisht parimeve të transparencës, gjurmueshmërisë dhe monitorimit," përfundon njoftimi.