Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, i ka drejtuar një thirrje Kryeministrit Edi Rama që të sqarojë opinionin publik lidhur me viktimat që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit në Thumanë, ndërsa i kërkon prokurorisë që të hetojë dhe nxjerrë përgjegjësit e kësaj tragjedie.
Bardhi shprehet se Qeveria nuk mori asnjë masë konkrete pas tërmetit të 21 Shtatorit për t’u ardhur në ndihmë njerëzve me banesa të dëmtuara, ku 24 banorë humbën jetën më 26 Nëntor.
“Pallatet në Thumanë, ku humbën jetën 24 qytetarë, u dëmtuan rëndë që në 21 Shtator. Banorët tregojnë se për gati 1 muaj kanë jetuar në çadra, për shkak se banesat e tyre dukeshin të pasigurta.
Sot, është dita të zbardhen dhe te sqarohen një herë e mirë para gjithë shqiptarëve këto 5 pikepyetje:
- A u verifikuan pallatet në Thumanë pas tërmetit të 21 Shtatorit?
- Kush janë ekspertët që u angazhuan dhe çfarë vlerësimi bënë ata?
- A u lajmëruan banorët për gjetjet e ekspertimit?
- Nëse godinat ishin vlerësuar si të rrezikshme, çfarë masash u morën për strehimin e banorëve?
- Kush lejoi futjen e banorëve në pallatet e shembura në 26 Nëntor?”, shkruan Bardhi në rrjetet sociale.
Reagimi i Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së vjen në një kohë kur prokuroria e Krujës, Tiranës dhe Durrësit ka nisur hetimet lidhur me dëmet që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit, ndërsa Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nuk do të lejohet që KÇK të përfitojë nga kjo situatë.