Basha: Pa humbur kohë 150 milion dollarët dhënë 10 oligarkëve të kalojnë për banorët e dëmtuar nga tërmeti

E Enjte, 05 December 2019 12:10

Kryetari i PD, Lulzim Basha viziton banorët në Rrëzë të Krujës ku me dhjetëra familje me fëmijë të mitur janë në qiell të hapur pasi banesat e tyre janë të pabanueshme. Basha u shpreh se, pa humbur kohë 150 milion dollarët që janë ndarë për 10 oligarkë duhet të kalojnë për banorët e dëmtuar nga tërmeti që sot janë në qiell të hapur.

“Dhjetëra familje me fëmijë të vegjël në Rrëzë të Krujës, kanë mbetur krejt të vetëm në përballimin e pasojave që u la tërmeti i javës së kaluar.

Për fat të mirë në këtë fshat nuk pati asnjë viktimë, por pothuajse të gjitha shtëpitë janë të pabanueshme. Asnjë masë nuk është marrë për ta. Asnjë ndihmë, asnjë çadër apo ushqim, nuk u ka ardhur nga shteti.

Duhet hapa konkretë dhe zgjidhje emergjente sepse gjendja e tyre po rëndohet edhe nga moti i ftohtë.

Pa humbur kohë 150 milion dollarët që janë ndarë për 10 oligarkë duhet të kalojnë për banorët e dëmtuar nga tërmeti që sot janë në qiell të hapur.

Qeveria duhet të nisë lëvrimin e fondeve për tu ardhur në ndihmë banorëve në zonat rurale për të cilët është e pamundur zhvendosja, në mënyrë që të nisin riparimin apo rindërtimin e shtëpive të shkatërruara”, tha kreu i PD, Basha.

Login to post comments