Solidarizimi pas tërmetit shkatërrimtar, Austria dhuron 600 mijë € për rindërtimin

Premte, 06 December 2019 14:03

Thirrjes për ndihmë në këto momente të vështira që po kalon vendi ynë pas tërmetit shkatërrimtar, i është përgjigjur edhe Republika e Austrisë, e cila ka vënë në dispozicion 600,000 €, për rindërtimin e banesave të shkatërruara apo dëmtuara. Marrëveshja për dhurimin e kësaj shume u nënshkrua në Ministrinë e Mbrojtjes nga drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile Haki Çako dhe drejtoresha e zyrës lokale të Agjencisë Austriake Për Zhvillim Simone Ungersböck.


  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Të pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjes ishin edhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe shefi i misionit në Ambasadën Austriake në Turanë, Christian Steiner. Marrëveshja e nënshkruar ka për qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës për familjet e prekura nga tërmeti, duke rindërtuar ose riparuar shtëpitë e dëmtuara.

Përfituesit kryesorë të këtij donacioni do të jenë kryesisht bashkitë e Durrësit dhe të Tiranës.
Partner zbatues i kësaj marrëveshjeje është Ministria e Mbrojtjes nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, ndërsa Agjencia Austriake për Zhvillim do të monitorojë gjithë procesin e zbatimit të këtij projekti dhe do të informohet në mënyrë të vazhdueshme, direkt në terren për ecurinë e këtij projekti.

 
 

Projekti ka hyrë në fuqi më 1 dhjetor 2019 dhe do të vazhdojë deri më 31 mars 2021. Austria ka qenë një nga vendet e para të Bashkimit Evropian që ka ofruar mbështetjen e saj në kuadër të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së duke siguruar pas tërmeteve të 21 shatorit dhe 26 nëntorit 2019, gjeneratorë, batanije, krevatë portativë dhe mjete higjeno-sanitare.

Login to post comments