Konferenca e donatorve/ Rama në Stamboll: Jam përpara jush për t’ju kërkuar ndihmë

Diel, 08 December 2019 13:18

Kryeministri Edi Rama është takuar mëngjesin e sotëm me presidentin e Turqisë, Recep Tayip Erdogan.

Ditën e sotme kreu i qeverisë shqiptare ka marrë pjesë në konferencën e madhe të investitorëve të besimit mysliman në Stamboll. Gjatë fjalës së tij kryeministri theksoi se koha për të shëruar plagët e shkaktuara nga tërmeti do të jetë e gjatë.

“Nuk do të harrojmë ndihmën e dhënë për të shpëtuar jetën e njerëzve tanë, dhe kurrë nuk do të harrojmë premtimin se do të jeni aty për ne. Tërmeti i tmerrshëm që goditi Shqipërinë na përballi me pasoja tragjike, përpara jush qëndroj për të kërkuar ndihmë. Mijëra njerëz u solidarizuan për fqinjët e pastrehë. Të rinj e të reja kanë lënë punën për ti ardhur në ndihmë familjeve të prekura, jam falenderues ndaj tyre”, tha Rama.

“Shpreh mirënjohjen më të thellë për reagimin e menjëhershëm për ti ardhur në ndihmë popullit tim. Nuk do të jem kurrë në gjendje të gjej fjalët që do të përshkruanin se sa shumë rëndësi ka angazhimi juaj personal dhe mobilizimi i  njerëzve tuaj që erdhën në Shqipëri me shpejtësi të plotë. Koha që do të na duhet për të shëruar plagët tona do të jetë shumë e gjatë”, u shpreh Rama.

Ndërkohë, pas tërmetit të 26 nëntorit, Presidenti turk deklaroi se do t’i ofronte ndihmë Shqipërisë për rimëkëmbjen nga tërmeti. Ai premtoi ndërtimin e 500 banesave për familjet, të cilave iu prishën shtëpitë nga tërmeti.

Login to post comments