Sot është afati i fundit ku kandidatët për kreun e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) duhet të paraqesin kërkesën për interes.
Kandidatura e parë është ajo e Arben Krajës, i cili bashkë me kërkesë ka shprehur edhe vizionin e tij për një Prokurori të Posaçme Antikorrupsion funksional dhe efektiv.
Burime mediatike bëjnë me dije se pritet që interes të shprehin edhe dy prokurorë të tjerë, Altin Dumani dhe Ervin Kondili, të tre që i kanë kaluar pa problem të dyja shkallët e vettingut.
Më pas Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të miratojë metodologjinë për përcaktimin e kandidatit fitues, të cilët ashtu siç ndodhi edhe me Prokurorin e Përgjithshëm do ti nënshtrohen një seance publike dëgjimore ku do të paraqesin platformën e tyre.
Pas marrjes së detyrës kreu i SPAK do të zgjedhë drejtuesin e byrosë kombëtarë të hetimit strukture kjo që do të funksionojë njëkohësisht me SPAK. Struktura e Posaçme Antikorrupsion do të nisë detyrën pas zgjedhjes së kryetarit duke marrë në dorëzim rreth 300 dosje nga Krimet e Rënda.