“Zgjidhni krizën politike”, pas PPE-së edhe Unioni Ndërkombëtar Demokrat me rezolutë të posaçme për Shqipërinë

Tuesday, 10 December 2019 10:50

Unioni Ndërkombëtar Demokrat, IDU, i kërkoi qeverisë dhe opozitës në Shqipëri të zgjidhin pa humbur kohë krizën politike. Organizata më e madhe botërore e partive të qendrës së djathtë dhe të qendrës, e cila kryesohet nga kryeministri kanadez, Stephen Harper, ka miratuar në takimin e fundit në Washington një rezolutë të posaçme për Shqipërinë.

Rezoluta me 8 pika ka në fokus nevojën urgjente të Shqipërisë për zgjidhjen e krizës politike, për zgjedhje të lira e të ndershme, për dënimin e politikanëve, zyrtarëve dhe kujtdo tjetër të përfshirë në krime elektorale, për funksionimin e organeve të drejtësisë, veçanërisht Gjykatës Kushtetuese, për gjykim pa vonesë të ligjshmërisë e 30 Qershorit, si dhe për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Rezoluta shpreh keqardhje për mungesën e vullnetit politik nga PS për një reform konsensuale zgjedhore dhe në contrast me këtë, shpreh mbështetjen e Unionit Ndërkombëtar Demokrat për përpjekjet e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj për zgjidhjen e krizës politike dhe përmbushjen e aspiratave euroatlantike të qytetarëve shqiptarë. 

Unioni Ndërkombëtar Demokrat u themelua 36 vjet më parë nga politikanët më të njohur të kohës, kancelari gjerman Helmut Kohl, kryeministrja britanike Margaret Thatcher, presidenti i mëvonshëm i Francës, Jacques Chirac, si dhe mori pjesë zëvendës Presidenti amerikan i kohës, George Bush, duke qenë se pjesë e rëndësishme e organizatës është edhe Partia Republikane në SHBA.

 

Rezolutë e Unionit Ndërkombëtar Demokrat IDU,

Miratuar në Takimin Ekzekutiv

6 Dhjetor 2019

Washington DC

• Duke mbajtur në konsideratë konkluzionet për Shqipërinë të Këshillit Evropian mbajtur në 17-18 Tetor 2019 dhe Raportin e OSBE/ODIHR në 5 Shtator 2019

• Duke mbajtur në konsideratë faktin që Shqipëria është duke u përballur me një krizë të thellë politike, me largimin e popullsisë nga vendi dhe me rënien e ekonomisë,

• Duke mbajtur në konsideratë faktin se zgjedhjet e 30 Qershorit u mbajtën pa marrë parasysh interesat e zgjedhësve dhe u zhvilluan në sfondin e një situate krize politike dhe institucionale,

• Duke njohur angazhimin e vendosur dhe të palëkundur të Partisë Demokratike të Shqipërisë në mbështetje të procesit të Integrimit Europian të Shqipërisë;

• Në mbështetje të angazhimit të Bashkimit Europian për procesin e zgjerimit, bazuar në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit nga vendet aplikante;

• Duke theksuar rëndësinë e procesit të integrimit si një katalizator i reformave, dhe duke vlerësuar mbështetjen që gëzon ky proces nga qytetarët shqiptarë; 

Unioni Ndërkombëtar Demokrat:

1. I bën thirrje partisë qeverisëse dhe opozitës në Shqipëri të ndërmarrin çdo përpjekje për ta tejkaluar në mënyrë të menjëhershme këtë krizë të thellë politike nëpërmjet dialogut politik.

2. Shpreh keqardhje për mungesën e vullnetit politik nga partia qeverisëse për të arritur progres në draftimin dhe miratimin me konsensus nga partitë politike të reformës zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR.

3. Duke theksuar thirrjen e përsëritur nga OSBE/ODIHR të rëndësisë që ka vullneti politik për të zbatuar plotësisht standartet e kërkuara për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, bën thirrje për zbatimin e reformës zgjedhore në dobi të demokracisë shqiptare dhe të funksionimit të institucioneve demokratike në nivel qendror dhe vendor.

4. Shpreh nevojën urgjente që Shqipëria të sigurojë funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë dhe strukturat e specializuara në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; bën thirrje për një vendim përfundimtar të shpejtë të Gjykatës Kushtetuese mbi ligjshmërinë e zgjedhjeve të 30 Qershorit të vitit 2019. 

5. Thekson se aktiviteti i blerjes së votës dhe përfshirja e krimit të organizuar në zgjedhje është e papranueshme për standartet Europiane dhe bën thirrje për rezultate të prekshme në kohë të afërt dhe procedim penal të suksesshëm të të gjithë fajtorëve përfshirë politikanët, zyrtarët dhe bandat kriminale të përfshirë në vjedhje votash dhe krime të tjera elektorale gjatë zgjedhjeve. 

6. Shpreh shqetësim të thellë përsa i përket fenomenit të përsëritur të kandidimit të njerëzve me rekorde kriminale apo zgjedhjes së tyre në funksione publike në shkelje të hapur të ‘Ligjit të Dekriminalizimit’ dhe bën thirrje për zbatim të shpejtë dhe pa mëdyshje të ligjit dhe largimin nga funksioni të gjithë shkelësve të tij.

7. Vëren më shqetësim faktin se Shqipëria konsiderohet bazë operacionale e rrjeteve të krimit të organizuar si dhe po përballet me korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisjes; shpreh nevojën urgjente të Shqipërisë të përfundojë hetimet, procedimin dhe dënimin për rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar; thekson nevojën për rezultate solide në luftën kundër kultivimit masiv dhe trafikimit të kanabisit dhe luftën kundër trafikut të drogës dhe pastrimit të parave; nisjen dhe përfundimin e procedimeve të gjithë fajtorëve përfshirë politikanët dhe zyrtarët e lartë.

8. Mbështet plotësisht Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe aleatët e saj në përpjekjet e tyre për të zgjidhur krizën politike, si dhe angazhimin e tyre të palëkundur në përmbushje të aspiratave Euro-Atlantike të qytetarëve të Shqipërisë.

Modifikuar më Tuesday, 10 December 2019 13:20
Login to post comments