Vasili – Ramës: Shaka me jetët e njerëzve nuk mund të bëhen më

Tuesday, 10 December 2019 11:57

Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili në një deklaratë për mediat ka reaguar pas inspektimit të sotëm të kryeministrit Rama në ambientet e QSUT-së.

Ai shprehet se kryeministri duhet t’ja lërë në dorë specialistëve, “kjo është një kohë që nuk mban hi sysh, shqiptarët kërkojnë siguri dhe garanci”, tha Vasili.

 “Sot gjithologu i cili vetëm bën inpsektimin me Ministren e Shëndetësisë që nuk ka të bëjë me këtë çështje futet në një godinë e cila nuk duhet të ishte në funksion. Kush i jep sigurinë e kësaj ndërtese. Katër kate vazhdojnë punë, kush e mban përgjegjësinë. E njëjta gjë po ndodh me shkollat në Tiranë. Kjo situatë është situatë skandaloze dhe tregon qartë se këta njerëz nuk mbajnë përgjegjësi kur bëhet fjalë për jetë njërëzish”, tha Vasili.
 

Deklarata për mediat e Nënkryetarit të LSI, Petrit Vasili

 

Të nderuar qytetarë dhe qytetare!
Sigurisht që pas tërmetit katastrofik të 26 nëntorit, një nga detyrat kryesore është kthimi i normalitetit në jetën e vendit. Por ky normalitet është i lidhur drejtpërsëdrejti me sigurinë e mjaft objekteve që janë dëmtuar dhe kjo siguri duhet të rikthehet. Kjo situatë është më delikate në objekte të tilla, siç janë spitalet dhe kopshtet. 
Kryeministri i Shqipërisë para pak minutash duke vazhduar misionin e tij të gjithologut, pra të njeriut që di gjithçka, bëri një inspektim në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, në spitalin 6 katësh siç njihet, apo në kompleksin spitalor, i cili trajton në mënyrë të veçantë një seri patologjish të caktuara. Ky spital dhe veçanërisht kjo godinë, 6-katëshi siç e njohin tradicionalisht të gjithë shqiptarët që kanë hyrë dhe kanë dalë për probleme të ndryshme, pas verifikimit të Institutit të Ndërtimit dhe me firmën e drejtorit të kësaj të fundit, z. Agron Hysenlliu, në datën 30 nëntor është konkluduar e zeza në të bardhë ku thuhet: Të mos lejohet aktiviteti në ambientet e dëmtuara deri në riparimin e dëmeve.
Sot gjithologu, i cili shkon dhe bën inspektim me ministren e Shëndetësisë, që s’ka të bëjë me ekspertizën ndërtimore, me drejtorin e QSUT që gjithashtu s’ka të bëjë me dëmtime strukturore dhe me një verifikim inxhinierik. Me një mjeke të nderuar, por që nuk ka të bëjë me këtë çështje, pa inxhinier hyjnë në një godinë, e cila nuk duhet të ishte në funksion deri në përfundimin e riparimeve dhe ku janë boshatisur vetëm 2 kate, ndërsa 4 kate të tjera vazhdojnë ende punë.
Kush i jep garancinë e sigurisë kësaj ndërtese kur Inspektorati i Ndërtimit thotë të mos lejohet aktiviteti në ambiente deri në riparimin e dëmtimeve. 4 Kate vazhdojnë punën. Kush e merr këtë përgjegjësi? Çfarë është ky që merr përgjegjësi të tjera apo kështu ndodh në të gjithë botën pastaj kur na ndodhin fatkeqësitë.
E njëjta gjë të nderuar qytetarë po ndodh me shkollat. Shkolla në mes të Tiranës, shkolla “Emin Duraku”, shkolla “Faik Konica”, skandali me shkollën “Sami Frashëri” me nga 2 ekspertiza. Në shkollën “Emin Duraku” një ditë më parë jepet në mënyrë të qartë nga ekspertiza dhe inxhinierët që të pezullohet aktiviteti dhe 24 orë më vonë ku s’ka ndodhur asgjë, asnjë riparim jepet një mendim i kundërt. Po a mund të bëjnë shaka të tilla? A mund të bëhen lojëra të tilla me objekte të tilla kaq delikate siç janë shkollat ku shkojnë qindra fëmijë? Si spitali ku citova më lartë ku hyjnë me mijëra njerëz?
Kjo situatë është një situatë skandaloze, e cila tregon qartë që këta njerëz në qeveri nuk kanë as më të vogël përgjegjshmëri dhe kur bëhet fjalë për jetë njerëzish. Po ju tregoj të nderuar qytetarë, kjo është deklarata që ka mbajtur Ministra e Arsimit pikërisht në 22 shtator pa bërë 24 orë nga tërmeti i 21 shtatorit, i cili u shtri në zona të tilla si Tirana, Durrësi, Elbasani, pra në një zonë akoma më të gjerë dhe i dha garanci që të gjitha strukturat shkollore dhe parashkollore, mund të fillonin funksionimin që nesër pra më 23 shtator. Pra zonja ministre e Arsimit brenda 24 orëve në qindra shkolla në 3 qarqet më të mëdha të vendit, qindra struktura parashkollore i kishte verifikuar për 24 orë dhe i kishte mbaruar, kur nuk kishte as mundësi kohore apo njerëzorë për ta bërë këtë në 24 orë dhe bëhej fjalë për sigurinë e objekteve të tilla siç ishin shkollat.
Jemi këtu për ta denoncuar këtë fakt dhe për ti kërkuar qartë dhe prerë kryeministrit që shaka të tilla me jetën e njerëzve nuk mund të bëhen më. Boll i nënvleftësove më 21 shtator dhe pasojat mund të evitoheshin siç qe krimi shtetëror i Thumanës ku humbën jetën 24 qytetarë të ndershëm. Inspektimet nuk u kryen seriozisht, sot inspektimet duhet të jenë rigoroze, shteruese dhe mbi të gjitha garantuese dhe po kështu një përgjegjësi shumë e madhe, shumë serioze duhet të jenë edhe  projektet që duhet të miratohen nga një ekspertizë, shumë e kualifikuar, projektet e rehabilitimit dhe granatimit të sigurisë.
Nuk do të thotë që menjëherë pasi të dalin dëmtime të mëdha strukturorë futet një brigadë e një firme çfarëdo bën ca suvatime dhe ikën, sepse projekti ku do të ndodhi, si do të ndodhi dhe në cilat pika do të ndërhyhet dhe me çfarë teknologjie do të ndërhyhet duhet të jetë shumë i shënjestruar mirë dhe mbi të gjitha i miratuar me përgjegjësi të plotë.
I cili do të thotë që mbas këtij projekti ndërhyrës këto godina garantojnë sigurinë e duhur për të vazhduar aktivitete të tilla shumë të rëndësishme, por dhe shumë të gjera nga frekuentimi si nga frekuentimi siç janë shkollat dhe spitalet.
Spitalet shqiptare në mënyrë të veçantë nuk kanë nevojë për ekspertizën e inxhinierit të Edi që nuk ka iç të bëjë me inxhinierinë, por ka nevojë për dorën e specialistëve dhe ku përfundimisht Edi Rama duhet të mbyllë gojën dhe të pushojë dhe t’ju a lerë në dorë këtë situatë specialistëve, profesionistëve sepse me llafet me batutat me shakatë pa kripë me dënglat e lëshuara lart e poshtë, Shqipëria dhe strukturat përfunduan këtu ku janë. Edi Rama ka në kokën e tij vetëm një mënyrë rikonstruktimi siç ka rikonstruktuar bulevardin e Tiranës që siç e keni parë është shqepur nga fillimi deri në fund dhe nuk e ka problem, këto janë rikonstruktimet që bën Edi Rama, që janë të gjitha fasadë për të hedhur hi syve, por kjo është një kohë që nuk mban hi sysh, sepse është një kohë pas një tërmeti I cili të gjithë shqiptarët kanë frikë ta kujtojnë për dimensionin dhe për gravitetin dhe për peshën e jashtë zakonshme dhe shkatërruese që pati. Gjëja e vetme që kërkojnë tani, kërkojnë seriozitet të madh që çdo punë e kryer të jetë me vend dhe t’ju japi gjithë atyre garanci dhe qetësi, edhe për banesën dhe për pronën por edhe qetësi psikologjike pasi shqiptarët janë tronditur shumë fort dhe nga pikëpamja shpirtërore psikologjike, duke u përballur me një fatkeqësi të dimensioneve të tilla. Vetëm serioziteti dhe profesionistët e zotë që marrin situatën në dorë janë e vetmja garanci që ata mund të afrojnë. Kryeministri po I mungon edhe kësaj.
Faleminderit të gjithëve.

 
Login to post comments