Presidenti Ilir Meta deklaroi në emisionin Çim Peka Live në Syri TV se paralajmërimet e tij për tërmetet treguan se duhen dëgjuar ekspertët.
Meta tha se ai nuk është tërmetolog dhe as gjitholog, por theksoi se shteti duhet të jetë i parapërgatitur për të tilla fatkeqësi.
Presidenti tha se ka pasur tërmete të tjera paralajmëruese, si ai i qershorit, që ka lënë pasoja që nuk janë mbyllur akoma sot.
‘Ka pasur paralajmërime nga qendrat sizmiologjike të rajonit, që më kanë detyruar të bëj një ftesë paralajmëruese për të tërhequr vëmendjen për marrjen e masave.
Kam mbaruar për ekonomi dhe një nga degët kryesore të ekonomisë janë statistika dhe probabiliteti. Dhe kur i njeh ato, të ndihmojnë për të kërkuar zgjidhje për parandalimin e situatave,’ tha Meta.
‘Unë duhet t’u drejtohesha institucioneve shtetërore për të marrë masa. Kjo tregoi që duhet t’i dëgjojmë shkencëtarët.
E rëndësishme për shtetin dhe institucionet është që në çdo moment duhet të jenë të gatshëm për të minimizuar pasojat e fatkeqësive.
Nuk është e vetmja shkresa, ka qëndrime të vazhdueshme të presidentit për të parandaluar dhe për të marrë masat për fatkeqësi të kësaj natyre apo të natyrave të tjera,’ tha Meta.
Sipas Metës, nuk duhen nënvlerësuar mundësitë se një fatkeqësi e tillë do ndodhë, përsa kohë Shqipëria është përballur me ngjarje të rënda thuajse çdo dy-tre vjet, siç është rasti i përmbytjeve.