Kryeministri Edi Rama reagoi në rrjetet sociale në lidhje me Konferencën e Donatorëve.
Ai falenderoi Presidenten e KE, Ursula von der Leyen dhe liderët e BE-së, ndërsa shtoi se kjo konferencë do mbahet në Tiranë.
“Mirënjohje Presidentes Von Der Leyen dhe liderëve të vendeve anëtare të BE për mesazhin e fortë të solidaritetit me Shqipërinë në këtë kohë dramatike e përcaktuese pas tragjedisë që shkaktoi tërmeti. FLM edhe për vendimin e mbajtjes së Konferencës së Donatorëve në Tiranë,” shkruan Rama në Twitter.
"Është një lajm i shumëdëshiruar marrja mbrëmë e vendimit të Këshillit Europian për mbajtjen e Konferencës së Donatorëve në Tiranë, në fund të muajit Janar, me qëllim mbështetjen e Programit të Rindërtimit nga të gjitha shtetet anëtare të BE. Mbajtja e premtimit që mora nga shumë prej liderëve europianë për këtë konferencë të domosdoshme, më mbush me energji e me optimizëm për suksesin e përpjekjes që të dalim të gjithë më të fortë nga kjo tragjedi, duke nisur nga motrat e vëllezërit tanë fatkeq, të cilët duhet t’i rikthejmë në shtëpi më të mira se ato që humbën, si edhe nga fëmijët e tyre, të cilëve do t’u bëjmë shkolla më të mira nga ato që kishin".
Fillimisht ishte presidenti francez, Emmanuel Macron që deklaroi se Konferenca e Donatorëve mund të mbahej në Francë.
Një ditë më parë, Macron tha se kjo konferencë do mbahet më 19 ose 20 janar.
Kurse kryeministri Edi Rama nuk e përmend fare Macron në mesazhin e tij.