Kryeministër, mos shko në morte! Nuk i vrau tërmeti, por Rilindja

Saturday, 14 December 2019 14:53

Shprehja: “Të vret natën dhe të qan ditën”, sot ka vend me atë që po ndodh në vend. Tërmeti i 26 nëntorit mori jetën e 51 qytetarëve, fëmijë të mitur, gra, burra, të rinj e të moshuar, familje të tëra të shuara nën rrënoja. Gjëma kombëtare nuk ishte vetëm shkak i fatkeqësisë natyrore, por e babëzisë së pushtetit, që të vret ngadalë, me korrupsion, ndërtime pa kriter, shtesa pallatesh , restorantesh, hotelesh e motelesh.

Prokuroria e Durrësit ka nxjerrë 17 urdhër-arreste për zyrtarë lokal, ish-zyrtarë, inxhinierë dhe arkitektë. Pjesa më e madhe janë drejtues të Partisë Socialiste në Durrës, nëpunës të lartë të majmur nga aferat, pa pyetur për ligjin, e moralin.

Çfarë do u thotë kryeministri Rama familjarëve të viktimave në Durrës? Me mjekrën e bardhë, palerinën e zezë dhe në çdo cap aktron, ai nuk ka më moral tu dalë përpara. Sepse ishte fryma e tij, e drejtuesve më të lartë të partisë që drejton që e la Durrësin në duart e disa palaço zyrtarësh që për ca para më shumë, qofshin edhe qindra milionë, çuan drejt vdekjes qytetarë të pafajshëm.

Mes të arrestuarve janë ish-drejtues të ALUIZN-it, inxhinierë, punonjës të urbanistikës në Durrës, konstrukturë dhe biznesmenë ndërtimesh të nivelit të ulët, jo ata të mëdhenj të lidhur fort me politikën, madje deputetë dhe ish-deputetë të PS-së.

Nga 17 urdhër-arreste të lëshuara vetëm nëntë janë ekzekutuar, ndërsa tetë të tjerë janë larguar. Që të gjithë janë zyrtarë dhe ndërtues. Nuk përjashtohet mundësia që ata të jenë larguar pasi janë informuar se mbi ta po kryheshin hetime. Pesë zyrtarë lokal janë larguar jashtë vendit, bashkë me “teserën” e partisë, që për ta është lejekalimi që can çdo bllokadë…

Kryeministri nuk ka vend për mburrje, nuk mund të thotë se ata do të penalizohen, hetohen apo burgosen. Pikë së pari ai duhet të japë shpjegim përse ka vendosur në poste kyçe në hipotekë, legalizime dhe urbanistikë individë të cilët kanë bërë këtë batërdi në Durrës duke legalizuar, shtuar dhe kolauduar objekte të ndërtuara pa asnjë kriter.

Po drejtuesit më të epërm të Bashkisë Durrës ku i ka sot kryeministri? Ai nuk i ndahet Gjushit të tij, e mori me vete edhe në Turqi, ku duke përdorur fjalët e Kur’anit kërkoi ndihmë për rindërtimin e banesave të shkatërruara nga tërmeti.

Kjo situatë nuk është më një lojë Gjushash e Gjiknurësh dhe as “tërmet artificial” me vota të vjedhura dhe blera në krimi i lidhur me politikën, por histori njerëzore që sot u janë thërë edhe lotët pranë varreve të shumta. Të afërm të atyre që sot treten nën dhe’ nuk kërkojnë vetëm një strehë mbi kokë, as lëmoshët e një qeverie, por drejtësi, atë të pavarur, të pakapur e trazuar nga ustallarët e pushtetit.

Nuk dihet kush ia mbush mendjen këtij kryeministri që herë shfaqet me tespie, herë me tuta e batuta, herë me pelerinën e zezë që gjezdis në zonat e prekura, pa harruar zakonin e tij të vjetër të arrogancës, ku edhe në këto ditë të vështira mendja i punon për propagandë.

Po atyre dy djemve të mitur që i shpëtuan vdekjes nga rrënojat e pallateve në Thumanë çfarë do u thuash. A mbulohet vdekja duke përdorur edhe dy futbollistë të mëdhenj botërorë? Ata të mitur sot gëzojnë kur i more me avion dhe i takove me Ronaldon dhe Bufonin, por nesër nuk do kesh moral të shohësh në sy askënd të mbijetuar, kur të zbulohet se vdekja e prindërve, vëllait, motrës, gjyshërve u aerdhi nga ca palaço zyrtarë që edhe pse konstatuan se pallatet ishin dëmtuar që në tërmetin e 21 shtatorit, i lanë sërish aty nën atë ngrehinë që u kthye në një pirg inertesh nga lëkundjet e 26 nëntorit. Si është e mundur që pas çdo arrestimi të një zyrtari apo biznesmeni fijet e shkurtra i lidhin me partinë, parinë dhe batërdinë Rilindje që mbolli vdekje? Nga Boldnews.al

Login to post comments