Nga Dr. Francesca Norton
(Analiste politike dhe aktiviste për të drejtat e njeriut – Citizentruth.org)
Në Shqipëri po kthehet Komunizmi. Shteti njëpartiak po kontrollon qeverinë, parlamentin dhe drejtësisë.
Kryeministri shqiptar Edi Rama po bëhet Kim Jong-un i Evropës.
Ai tashmë kontrollon plotësisht qeverinë qendrore dhe atë vendore, median dhe shumë shpejt edhe Gjykatën Kushtetuese, instrumentin përfundimtar që do t'i lejojë atij të krijojë në zemër të Evropës një regjim të ngjashëm me Korenë e Veriut.
Rama ka emëruar njerëzit e tij në krye të të gjitha institucioneve të drejtësisë, dhe tani po vendos njerëzit e tij më të besuar si gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, duke përdorur manovra që shkelin hapur Kushtetutën dhe të gjitha ligjet për këtë çështje.
Manovra e tij e fundit ishte përmes Ardian Dvorani, Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, një organ administrativ, i cili përdori metodat e tij antikushtetuese për të siguruar paraprakisht zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që të realizonte misionin e Kryeministrit për të pasur një kontroll të plotë të Gjykatës Kushtetuese dhe përdorimin e gjyqtarëve si kukullat e tij. Me këtë gjykatë, e cila supozohet të ruajë sundimin e ligjit dhe ekuilibrat e pushtetit, nën kontrollin e tij kryeministri Rama mund të bëjë çdo gjë dhe asgjë nuk mund ta pengojë në planet e tij.
Të gjitha pushtetet në duart e një njeriu të vetëm.
Tragjikisht, kjo është në kurriz të popullit shqiptar, por po bëhet me paratë e taksapaguesve evropianë dhe amerikanë.
Një burrë ose grua e thjeshtë punëtore amerikane, gjermane, holandeze, franceze, greke, ose kushdo tjetër që i përket vendeve të tjera të BE-së, po paguan për instalimin e një shteti njëpartiak komunist në një vend të vogël që aspiron të anëtarësohet në BE.
Gjatë tre viteve të fundit, miliona euro dhe dollarë nga BE dhe SH.B.A janë përdorur për Reformën në Drejtësi në Shqipëri, e cila ka prodhuar rezultate katastrofike.
Vendi u la me qëllimin nga Rama pa një Gjykatë Kushtetuese dhe një Gjykatë të Lartë për dy vjet. Dosjet që presin të trajtohen në Gjykatën e Lartë kanë arritur në 35, 000, dhe do të duhen dekada për t'u shqyrtuar.
Ndërkohë, ky kaos dhe mungesë totale e sistemit dhe mekanizmave të drejtësisë kanë shkuar në favor të kryeministrit Rama i cili tani po ushtron kompetencat e tij si Kryeministër, si Gjykatës dhe si Lider Suprem, duke e kthyer vendin përsëri në komunizëm në vend që të ecë përpara drejt integrimit në BE.
Shtyrë nga kjo situatë antidemokratike dhe kolaps të plotë të drejtësisë që po ndodh në Shqipëri, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, nuk pranoi të lejojë që një situatë e tillë të ndodhë në vendin e tij: "Shqipëria nuk ka asnjë kapacitet tani për të mbushur vendet e lira në institucionet e drejtësisë dhe kjo nuk duhet të ndodh me ne. Tani ata janë pa një Gjykatë Kushtetuese dhe një Gjykatë të Lartë, dhe kjo është e papranueshme, "deklaroi ai.
Kjo situatë e rëndë ka ngjallur shumë shqetësime jashtë vendit.
Financimi i kësaj meseleje dhe skandali të drejtësisë mund të përmbajë gjithashtu edhe korrupsion. Të alarmuar nga kjo situatë, Doris Pack, politikane e mirënjohur evropiane, Kryetare e Forumit të Grave të PPE dhe ish-Europarlamentare, bëri thirrje për një hetim mbi shpërndarjen e fondeve të BE: "A ka ndonjë hetim serioz për këtë skandal nga BE? A mund të vazhdojmë të mbështesim me paratë e taksapaguesve të BE për këtë kapje të sistemit të drejtësisë shqiptare nga kryeministri Rama?
Këshilltari dhe analisti gjerman Martin Henze u ka bërë një pyetje të drejtpërdrejtë shumë udhëheqësve evropianë pse BE po financon një reformë që rrëzon sundimin e ligjit? Në apelin e tij drejtuar Kryeministrit Hollandez, Marc Rutte, ai shprehet: "Marc, evropianët, gjermanët dhe taksapaguesit evropianë pyesin pse ekziston një reformë katastrofike e drejtësisë e financuar nga Bashkimi Evropian në Shqipëri që po rrëzon sundimin e ligjit dhe promovon një shkelje të padiskutueshme të Kushtetutës nga qeveria Rama?”
Ai iu drejtua gjithashtu Ambasadorit të BE-së në Tiranë, Shqipëri, Luigi Soreca, duke thënë: "Dhe Evropa politike, Z. Soreca, dhe shtypi ndërkombëtar, tani do të shikojnë shumë nga afër procesin e shpërndarjes së fondeve të BE-së në Shqipëri, përfshirë angazhimin e Ambasadorit të BE-së. Siç e dini, administrata dhe qeveria Rama janë ndër ato që dyshohen për korrupsion."
Është e vërtetë që gjatë viteve të qeverisjes Rama niveli i korrupsionit është rritur ndjeshëm. Raporti i fundit i Transparency International tregon se indeksi i korrupsionit është rritur gjatë periudhës 2015-2018. Në krahasim me vitin 2015 Shqipëria është përkeqësuar me 11 vende, dhe në krahasim me 2016 është përkeqësuar me 16 vende, duke u renditur në vendin e 99 nga 180 vende.
Për më tepër, gjatë viteve Rama besueshmëria e shqiptarëve ndaj BE-së ka rënë. Edhe midis vendeve të BE-së janë ngritur dyshime për marrëdhëniet midis qeverive të tyre me administratën e Edi Ramës. Bundestagu gjerman është i shqetësuar për një lobim të mundshëm nga Edi Rama në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, e drejtuar nga një ministër i partisë SPD, një parti simotër e Partisë Socialiste të Edi Ramës.
Edhe Ambasada e SHBA ka investuar miliona dollarë në këtë projekt eksperimental të Reformës në Drejtësi në Shqipëri.
Një hetim nga autoritetet e BE-së dhe ato amerikane është i nevojshëm për të zbuluar pse taksapaguesit e vendeve më demokratike në botë po mbështesin krijimin e një regjimi antidemokratik, në një vend që ka nevojë për demokraci dhe integrim evropian. Pse harxhohen miliona euro dhe dollarë amerikanë për të rikthyer komunizmin në vendin që vuajti më shumë nga ai regjim për gati gjysmë shekulli? Pse amerikanët e zakonshëm dhe populli evropian po investojnë në vendosjen e sundimit të një njeriu të vetëm, atë të kryeministrit shqiptar, Edi Rama?
Një hetim i një çështjeje kaq të rëndësishme për këtë vend, përdorimi i fondeve, axhenda e korrupsionit që fshihet nën emrin e drejtësisë do të sillte drejtësi të vërtetë jo vetëm për këtë vend të vogël evropian, por edhe për taksapaguesit në Evropë dhe SHBA.
Ky hetim duhet të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur dhe personat përgjegjës për këtë mesele të madhe, situatë skandaloze dhe abuzim të fondeve, duhet të mbahen përgjegjës.
Rama po autorizon nxjerrjen e ligjeve që censurojnë median, në shkelje të plotë të lirisë së fjalës. Opozita, në një akt revolte kundër kapjes totale të shtetit ka lënë në bllok mandatet në Parlament duke e lënë Ramën me një kontroll të plotë të legjislativit. Ai tashmë ka mbajtur votimet njëpartiake për zgjedhjet lokale që rezultoi në kontrollin e 61 bashkive të Shqipërisë, nga të cilat 31 janë mbajtur me vetëm një kandidat.
Nën sundimin e tij vendi është titulluar nga media ndërkombëtare si Kolumbia e Evropës, për shkak të kultivimit të kanabisit në të gjithë territorin shqiptar, trafikimin e drogës dhe krimin e organizuar. Megjithatë, ai po përfiton nga fondet e BE për të kapur drejtësinë dhe Gjykatën Kushtetuese për t'i shërbyer qëllimit të tij për krijimin e një shteti njëpartiak dhe në duart e një njeriu të vetëm.