Kreu i opozitës Lulzim Basha ka vizituar gjatë ditës së sotme banorët në fshatin Shënavlash të Durrësit. Aty Basha ka parë se si shteti i ka harruar banorët, që janë prekur shumë nga tërmeti i 26 nëntorit.
‘Kjo fatkeqësi natyrore është kthyer tashmë në një fatkeqësi shtetërore’, është shprehur Basha në takimet me banorët. ‘Sot vizitova banorët e Shënavlashit, të harruar edhe nga propaganda e qeverisë. Pas traumës së tërmetit të 26 nëntorit, qytetarët janë futur tashmë në sfidën e mbijetesës.
Të braktisur nga qeveria e cila ka dështuar në gjithçka përveç propagandës çnjerëzore që nuk kursen as fëmijët që humbën prindërit, mijëra familje janë lënë në mëshirë te fatit. Shumë prej tyre vazhdojnë të kalojnë net të ftohta në çadra, pa ngrohje pa ushqim, në kushte të mjerueshme.
Kanë kaluar tre javë nga tërmeti dhe ende mijëra banesa nuk kanë vlerësim për gjendjen e tyre, e të tjera kane dy apo tre vlerësime kontradiktore. Shumë qytetarë janë kthyer në banesat e tyre të dëmtuara ose të pa banueshme sepse nuk kanë një vend ku të qëndrojnë duke rrezikuar jetën e tyre.
Asnjë ndihmë, asnjë zgjidhje. Çdo ditë që kalon po i rëndon pasojat sociale dhe ekonomike të tërmetit të 26 nëntorit. Është skandaloze që tre javë pas tërmetit nuk ka ende një bilanc të dëmeve. Është kriminale që banesat e shpalluara të pabanueshme të rivlerësohen të banueshme vetëm se qeveria e Ramës nuk do të prekë paratë që u jep oligarkëve.
Është kriminale që qytetarët jetojnë ende në çadra, pa asnjë përkrahje që të mos preken 150 milionë dollarë që janë ndarë nga Rama për koncesionet e 10 oligarkëve. Kjo fatkeqësi natyrore është kthyer tashmë në një fatkeqësi shtetërore’, thuhet në njoftimin e PD-së në lidhje me takimet e Lulzim Bashës me banorët.