Sa herë që Rilindja që bërë ndonjë marrëzi me ligjet dhe reformat justifikimi kryesor që është përdorur ka qenë: “na i kërkojnë ndërkombëtarët”. Kështu u tha fillimisht për koncesionet, për kapjen e reformës në drejtësi, për uzurpimin e pushtetit vendor dhe për çdo nismë tjetër të diskutueshme. Kështu ndodhi deri dje edhe me paketën e ligjeve “antishpifje”, e cila mbyll mediat online dhe rikthen censurën mediatike në vend. Prej muajsh Edi Rama dhe gjithë zyrtarët e lartë të PS-së janë fshehur pas BE, SHBA dhe BE duke miratuar në komisionet e kuvendit një nismë anti kushtetuese dhe kundër të drejtave të njeriut për censurimin e mediave. Ligjet që kanë sjellë reagimin e gjithë mediave në Shqipëri dhe të mbi 40 organizatave të pavarura ndërkombëtare po mbrohen nga PS dhe Edi Rama me argumentin se janë konsultuar me BE. Madje dhe disa ndryshime të bëra mbrëmjen e së hënës me urgjencë, u servirën si reflektim i mazhorancës ndaj kritikave të qeverisë. Por sërish Rilindja ka vepruar në ujëra të turbullta të mashtrimit dhe manipulimit të opinionit publik.
Pasditen e djeshme, si rrallë herë në këto 6 vite, ndërkombëtarët kanë reaguar ashpër kundër qeverisë “Rama”. Bashkimi Europian reagoi në median e Departamentit Amerikan të Shtetit, “Zëri i Amerikës” duke shprehur shqetësimin për ligjet e propozuara nga Edi Rama. BE konfirmonte se ligjit i ishin bërë ndryshime me urgjencë, por theksonte se sërish paketa ligjore është shqetësuese për lirinë e mediave dhe se rekomandimet që kanë bërë ndërkombëtarët nuk janë marrë parasysh. Pak minuta më vonë, Ambasada e BE në Tiranë, e cila në 6 vite ka qenë thuajse njëlloj si qeveria në qëndrimet për zhvillimet në vend bëri të njëjtën deklaratë. Duke cituar qëndrimin e Brukselit, zyra e BE në Tiranë nuk e fshihte zhgënjimin ndaj qeverisë “Rama” për miratimin e një ligji që mediat dhe organizatat ndërkombëtare e quajnë të rrezikshëm. Po dje, gjatë paradites Komisionerja e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviç, me një gjuhë të qartë dhe pa llustrime diplomatike denonconte paketën e ligjeve të qeverisë “Rama”. “Jam veçanërisht e shqetësuar me fuqitë vendimmarrëse që u jepen organeve rregullatore, me mundësinë që të vendosin gjoba të majme dhe të bllokojnë media online pa patur më parë një vendim gjykate. Po ashtu edhe ndërhyrja e shtetit në rregullimin e medias online mund të minojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias në vend”,- deklaront Dunja Mijatoviç. Kritikat e komisioneres së BE përbëjnë dhe thelbin e gjithë reagimit të mediave në Shqipëri dhe organizatave ndërkombëtare. Qeveria nuk mund të hyjë si rregullatorë e medias së pavarur dhe institucionet e qeverisë nuk mund të zëvendësojnë gjykatat.
Reagimet e djeshme janë “shuplaka” e parë publike që qeveria “Rama” ka marrë në bllok nga ndërkombëtarët. Toni i kritikave të ndërkombëtarëve është në të njëjtën nivel me gjuhën që përdoret ndaj vendeve autoriatiste dhe me liderë problematikë jashtë Europës. Kritikat e djeshme janë një krisje e fortë mes ndërkombëtarëve dhe Edi Ramës, aq sa eurodeputetë të ndryshëm kanë vënë në pikëpyetje aftësinë e Shqipërisë për të drejtuar këtë vit OSBE-në.
Por edhe pse qeveria “Rama” është vënë dje në presion të fortë ndërkombëtarë, kryeministri u shfaq pasdite në rrjetet sociale edhe më i vendosur për të vijuar me miratimin e ligjit. Rama tha se ligji do kalojë sot në Kuvend dhe se ka mbështetjen e OSBE-së në Vjenë! Ndërkohë BE dhe KE thonë hapur se nuk mbështesin ligjin as në formën e re që është amenduar, deklarata e Edi Ramës duket si një vijim i marrëzisë me çdo çmim deri në fund.
Në rendin e ditës së seancës së sotme parlamentare dy ligjet e diskutueshme janë futur për votim. Organizatat e mediave në Tiranë kanë paralajmëruar një protestë para Parlamentit për të kundërshtuar miratimin e këtyre ligjeve. Alibia e ndërkombëtarëve që mbështesin Ramën ka rënë përfundimisht. Nëse ligjet do kalojnë kjo nuk është më çështje e gazetarëve dhe as ndërkombëtarëve, por e gjithë shqiptarëve pasi nuk kemi më qeveri, por një regjim të rrezikshëm ndaj lirisë së fjalës.