Post-tërmeti/ “Tallja e Lalit”, anulon tenderin 50 mijë USD, vijon atë 5 milionë dollarë

E Enjte, 19 December 2019 12:39

Nga Boldnews.al

Ndërmarrja e Ujësjellësit të Tiranës, nën varësinë e Bashkisë së drejtuar nga Erion Veliaj, ka vendosur të anulojë tenderin për “ndërtim rrjet ujësjellësi në Shkozë”, me fond limit 4.1 milionë lekë të reja pa TVSH (rreth 50 mijë dollarë), për shkak të urdhërit të Ministrisë së Financave për reduktimin e shpenzimeve “jo-urgjente”.

Por, ndërkohë që është treguar “solidar” me pasojat e dëmeve të tërmetit, duke anuluar këtë tender, Ujësjellësi nuk ka dëshmuar të njëjtën qasje për prokurimin publik me vlerë rreth 5 milionë dollarë, për ndërtimin e godinës së re të administratës së Ujësjellësit.

Ujësjellës-Kanalizime i Tiranës ka njoftuar në Buletinin e Prokurorimeve Publike të datës 16 Dhjetor 2019 se është vendosur anulimi i procedurës tenderuese për “ndërtim rrjeti ujësjellësi dhe vënie në punë të rrjetit ekzistues në Shkozën e Sipërme”.

Ky tender, me vlerë 4.1 milionë lekë të reja (pa TVSH) është anuluar “për shkaqe që dalin jashtë kontrollit të autoritetit kontraktor dhe të paparashikueshme në kohën e fillimit të procedurës së prokurimit…”, si pasojë e tërmetit të 26 Nëntorit.

https://boldnews.al/wp-content/uploads/2019/12/Screenshot_1-96-696x679.png 696w, https://boldnews.al/wp-content/uploads/2019/12/Screenshot_1-96-431x420.png 431w, https://boldnews.al/wp-content/uploads/2019/12/Screenshot_1-96.png 761w" data-lazy-loaded="1" sizes="(max-width: 640px) 100vw, 640px" width="640" height="624">

Ujësjellësi e ka pasur shumë të lehtë për të anuluar tenderin që, me shumë mundësi, do të rriste cilësinë e furnizimit me ujë të qytetarëve në zonën e Shkozës së Sipërme.

Por, ndërmarrja nën varësinë e Veliajt duket se nuk e ka të lehtë të tërhiqet nga tenderi aspak urgjent, por multi-milionësh, për ndërtimin e godinës së re për administratën e institucionit.

“Boldnews.al” ka raportuar më parë se Ujësjellës-Kanalizime Tiranë ka shpallur tenderin për “Ndërtimin e godinës së re të Ujësjellësit” në Buletinin e Prokurimeve Publike të datës 2 Dhjetor 2019.

Sipas të dhënave zyrtare, fondi limit për këtë tender është 480 milionë lekë të reja pa TVSH (mbi 5 milionë dollarë).

Ky tender është shpallur publikisht pak ditë pasi Qeveria Shqiptare miratoi “Gjendjen e Fatkeqësisë Natyrore”. Në bazë të situatës së paparashikuar, Ministria e Financave urdhëroi “ndërprerjen e kontratave të reja dhe shpalljet për prokurime publike” për mallra dhe shërbime që nuk janë “emergjente” dhe që nuk kanë lidhje me pasojat e tërmetit.

Urdhëri i Ministrisë së Financave synon që të reduktojë shpenzimet e tepërta dhe të shtyjë në kohë tenderat jo-urgjentë, për të siguruar fonde sa më të shumta publike për riparimin e pasojave të rënda të tërmetit.

Por, qasja e pushtetit qendror nuk është përthithur aspak nga qeverisësit e pushtetit lokal të kryeqytetit. Deri në publikimin e këtij artikulli, Ujësjellësi i Tiranës nuk është tërhequr nga shpenzimet kolosale për të siguruar kushte “luksi” për punonjësit e administratës.

Sistemimi i administratës së Ujësjellësit nuk duket se është aq urgjente, aq më tepër kur ky institucion, vetëm një vit më parë, ka shpenzuar disa qindra milionë lekë (të vjetra) për rikonstruksionin, mobilimin dhe arredimin e zyrave ekzistuese, për pajisje të reja kompjuterike, e të tjera.

Boldnews.al” ka verifikuar të dhëna mbi tenderat publikë të Ujësjellësit, kryesisht ato shpenzime që lidhen, jo me përmirësimin e rrjetit të ujit, por për zyrat administrative.

Në Mars 2019, Ujësjellësi i Tiranës ka shpallur fituesin e tenderit për “Blerje pajisjesh kompjuterike”, me vlerë 100 milionë lekë (të vjetra).

https://boldnews.al/wp-content/uploads/2019/12/Screenshot_2-79-331x420.png 331w" data-lazy-loaded="1" sizes="(max-width: 634px) 100vw, 634px" width="634" height="805">

Disa muaj më pas, në Qershor 2019, Ujësjellësi në varësinë e Veliajt ka shpallur fituesit e tenderit për “mobilim dhe arredim zyrash”, me vlerë mbi 250 milionë lekë (të vjetra).

Pas këtyre shpenzimeve, të kryera vetëm në 7-8 muajt e fundit, tashmë Ujësjellës-Kanalizime Tiranë duket i vendosur për të harxhuar edhe 5 miliard lekë (të vjetra) për ndërtimin e godinës së re, ndërkohë që mijëra shqiptarë presin që autoritetet shtetërore t’u riparojnë shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti tragjik i fund-nëntorit 2019.

 
Login to post comments