Shpërfillja e Edi Ramës, diplomatët: I dërguam disa mesazhe...

E Enjte, 19 December 2019 12:41

Komisionerja e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviç, shpërndau në rrjetet sociale dy shkrime, ku thuhet se qeveria shqiptare shpërfilli organizatat e medias dhe institucionet ndërkombëtare, të cilat i kërkonin të tërhiqej nga projektligjet kontroverse për median.

Mijatoviç ishte mjaft e zëshme kundër këtyre nismave të qeverisë së Edi Ramës. Fakti që Rama nuk e dëgjoi zërin e saj, ka bërë bujë në disa prej mediave më të mëdha në Europë dhe SHBA.

Një nga shkrimet që shpërndan Mijatoviç është një raportim i BIRN. Aty thuhet se Rama sfidoi thirrjet nga Komisioni Europian për t’u tërhequr nga projektligjet.

“Burime diplomatike i thanë BIRN se Komisioni ia përcolli këtë mesazh Ramës në mënyrë të përsëritur gjatë disa javëve, qartazi pa sukses. I palëvizur, Rama iu përgjigj kritikave duke pretenduar se nuk e kishin kuptuar ligjin,” shkruan BIRN.

Një ditë më parë u përfol se presioni ndërkombëtar do bënte që Rama të tërhiqej nga nismat. Megjithatë, Rama u mbajt vetëm te një konstatim jozyrtar i përgjegjësit të OSBE për lirinë e medias, që të justifikonte miratimin e projektligjeve.

Login to post comments