Kryetarja e LSI-sw, Monika Kryemadhi, nw njw intervistw pwr Ora News, tha se djegia e mandateve veprimi i duhur.
-Znj. Kryemadhi a është aksioni I opozitës që po prodhon këtë pushtet absolut për këtë qeveri, përse e them këtë, në 30 qershor opozita u tërhoq dhe la zgjedhjet ndërkohë që 61 bashki tani janë të Partisë Socialiste.
Jo në 30 qershor opozita i tregoi botës mbarë që Edi Rama nuk rri dot pa krimin e organizuar.
-Znj. Kryemadhi, në shkurt dogjët mandatet dhe sot nuk ka asnjë zë kundër këtyre projekt-ligjeve që po kalojnë në Parlament. Pra ka akte parlamentare që Partia Socialiste me ata deputetë listash që zgjodhën Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim po kalojnë ligje të cilat asnjëherë nuk kanë kaluar pa konsensus. A është ky një gabimi i strategjisë së opozitës?
Po dëgjoj të njëjtat akuza që thotë edhe Presidenti i Republikës, po iu bëj të qartë, jo nuk ishte një gabim, nuk është fare gabim, kjo është për të gjitha ata që nuk duan ta kuptojnë dhe për të gjitha ata stabilokratë, që kjo opozitë ishte në Parlament dhe ky Edi Rama nuk pyeti as për opozitën dhe as për Presidentin, as për ndërkombëtarët, për asnjë njeri por zgjodhi Prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm që nuk e ka në kushtetutë dhe e mbajti 3 vite Prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm me 69 vota dhe nuk pyeti për opozitën. Në cilën Gjykatë Kushtetuese do të ankimonte opozita? A ishte kjo opozitë në Parlament kur miratoi ligjin për dividentin dhe e kundërshtoi, pa pikë turpi falsifikuan procesverbalët, falsifikuan mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë, edhe për dekretin e presidentit për dividentin ku u fali mbi 120 milionë euro oligarkëve dhe e ktheu Presidentin, nuk pyeti ky Parlament me opozitën brenda për dekretet e Presidentit dhe as për opozitën.
A ishte kjo opozitë në Parlament kur u votua ligji për teatrin dhe Presidenti ua ktheu 3 herë ligjin dhe nuk pyeti fare as për dekretin e Presidentit, as për opozitën, as për protestën e Aleancës së Teatrit përballë Parlamentit. A ishte ky Parlament dhe a ishin dekretet e Presidentit që nuk kanë punë fare me Parlamentin dhe nuk pyeti një drejtoreshë e botimeve në fletoren zyrtare dhe nuk të botoi ‘drejtoresha’ e Agjencisë të Botimeve të Fletores Zyrtare, shkeli ligjin dhe sot e kësaj dite nga qershori nuk ke një proces të hapur investigimi nga Prokuroria e Shtetit Shqiptar, përse nuk u botua dekreti i Presidentit në Fletoren Zyrtare. Ndërkohë që botohet në Fletoren Zyrtare një vendim i KED-së që nuk është as me ligj, as me Kushtetutë, as me kod, as me asgjë për t’u botuar në fletoren zyrtare.
Pra çfarë do të themi, nëse ne do të kërkonim 62 deputetë që të ishin fasadë, për të treguar normalitet dhe për t’i dhënë shansin ndokujt tjetër për të bërë pazare politike, unë më mirë rri në rrugë si qytetare e thjeshtë, sesa të rri atje për një rrogë e cila merret në Parlament dhe që nuk ka të bëjë fare tek rroga, sesa të rri aty si fasadë dhe të bëhem dëgjuese e rregullt e një njeriu që me thënë të drejtën është turp i Shqipërisë dhe i yni që e kemi prodhuar atë. Dhe tjetra që dua të them është që çdo gjë, vërtet djegia e mandateve krijon një destabilitet politik të disa institucioneve që nuk na bëhet vonë fare, sepse më mirë një destabilizim politik i të të gjitha institucioneve dhe një ringritje totale të institucioneve të shtetit dhe t’i japim fund një herë e përgjithmonë fund tranzicionit sesa të vazhdojmë të jemi një fasadë e shëmtuar e një autokrati që po kthehet në diktator të rrezikshëm sepse edhe sot po të ishim ne atje në Parlament, çfarë do të bënim, këpucën ja gjuajtëm, bojën ja gjuajtëm, vezën ja gjuajtëm, më jep Gjykatën Kushtetuese ku unë të ankimohem. Nuk shkoj unë dot as në Gjykatë Ndërkombëtare pa kaluar hallkën e Gjykatës Kushtetuese. Atëherë për çfarë, që t’i jap unë idenë e normalitetit Edi Ramës, që t’i jap idenë e normalitetit, flirtimit Edi Ramës në opinion publik.
Ai edhe sot e kësaj dite duke marrë një kundërshtim të hapur me një opozitë në rrugë, ai sot e kësaj dite vazhdon dhe intimidon opozitën. Atëherë për çfarë? Për të krijuar idenë që jemi normal, për të krijuar idenë e një komoditeti që ty të shkarkoj, ty nuk të shkarkoj. Po më mirë të gjithë në rrugë dhe të gjithë përballë atij sesa të bëjmë sikur jemi përballë atij. Unë mendoj që teatrove politik duhet t’i japim fund, teatrot politike na kanë sjellë këtu ku jemi.
-Znj. Kryemadhi, a nuk bëri këtë opozita pas zgjedhje të qershorit, nuk bëri pikërisht këtë, pra la rrugën, la protestat dhe tentoi të japë idenë e një normaliteti politik?
Jo, nuk është e vërtetë fare, sepse negociatat janë shumë më të rëndësishme se statusi politik i opozitës apo i Edi Ramës. Hapja e negociatave ka të bëjë me Shqipërinë, hapja e negociatave ka të bëjë me stabilitetin ekonomik dhe ligjor të Shqipërisë, hapja e negociatave ka të bëjë me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe në Bashkimin Europian, nuk ka të bëjë as me Edi Ramën kryeministër, as me LulzimBashën kryeministër, as me Ilir Metën President, as më Monikën deputete në Parlament. Hapja e negociatave ka të bëjë për garancinë që kanë shqiptarët sot në të ardhmen sepse sot 99.99% e shqiptarëve duan të jenë anëtarë të BE-së dhe kjo është më e rëndësishme për ne. Ajo që dua të them dhe është shumë e rëndësishme sot, nuk ka të bëjë me statusin politik të secilit prej nesh, ne kemi hequr dorë nga statusi jonë politik, ne jemi bërë baraz me të gjithë shqiptarët, nuk ka rëndësi a më duan mua apo jo ambasadat, më duan apo nuk më duan mua ndërkombëtaret, për mua ka rëndësi a më duan apo nuk më duan shqiptarët. Në fund të fundit qëllimi im nuk është të pushtoj godina, të pushtoja unë Parlamentin, të nxjerr unë deputetët që marrin nga 2 milionë e gjysëm rrogë aty, me dieta, me kuota dhe të shkojnë të marrin edhe ndihmë bonus nga bashkia për shtëpinë që i ka dëmtuar tërmeti, për kë?
Për atë kam qëllim unë, të nxjerr ata nga ajo godinë dhe të fus të tjerë? Jo, nuk është ai qëllimi im, qëllimi im është që shqiptarët të kenë më shumë punë, shqiptarët të kenë më shumë ushqim për fëmijët e tyre, shqiptarët të kenë garanci, shqiptarët të kenë siguri dhe shqiptarët të mos iu falen bandave për të zgjidhur hallet e tyre, por t’i falen shtetit, të jetë shteti ai që i ndihmon, kjo për mua është e rëndësishme dhe për mua ajo që ka rëndësi më të madhe është aleanca me qytetarin sesa aleanca me stabilokratët. Për mua stabilokratët e kanë marrë në qafë Shqipërinë, për mua stabilokratët e kanë mbajtur Shqipërinë në tranzicion se për mua Shqipëria do të ishte anëtare e Bashkimit Europian me kohë, që në vitin 2000-2002, por pikërisht këto aleancat fluide, këto interesat politike dhe këto teatrot politik e larguan Shqipërinë nga Bashkimi Europian. Sot Kroacia është anëtare e BE-së, ndërsa Shqipëria rrezikon që të hyjë në bllok me Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën që pastaj do të jetë një ëndërr në sirtar për Shqipërinë BE-ja.