Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi në një intervistë për Ora News deklaron se nuk ka asnjë tërheqje nga ana e opozitës lidhur me aksionin e saj politik. Kryemadhi paralajmëron se mazhoranca qeverisëse nën drejtimin e Edi Ramës po kërkon të kapë dhe Gjykatën Kushtetuese.
Po ashtu, kryetarja e LSI-së thekson se në janar, ushtarakët, policët, infermierët do të mbesin pa rroga.
Intervista
Zonja Kryemadhi çfarë po ndodh me opozitën? Duket se muajt e fundit dhe ditët e fundit kryesisht është fokusuar vetëm në takim me qytetarët në zonat e prekura nga tërmeti ndërkohë që ka një tërheqje nga aksioni politik për largimin e kryeministrit Edi Rama, çfarë po ndodh konkretisht?
E para njëherë dua të bëj një korrigjim, sigurisht që deri pas periudhës së shtatorit deri në datën 18 tetor që ishte vendimi i këshillit të ministrave të jashtëm përsa i përket hapjes së negociatave opozita ka qenë e fokusuar në fushatën e saj për të lobuar në të gjitha nivelit dhe të influencës përsa i përket hapjes së negociatave qoftë edhe një “PO” me kushte për Shqipërinë duke pasur parasysh që hapja e negociatave është një nga objektivat kryesore të opozitës shqiptare sepse ne tashmë jemi të bindur dhe nuk ka më asnjë lloj dileme për ta reklamuar apo për ta shfaqur që opozita shqiptare është një opozitë pro europiane dhe ajo ç’ka është më e rëndësishme është që e gjithë puna jonë ka qenë e fokusuar drejt këtij fokusi, drejt kësaj pike. Kushtet e Bundestagut ishin të domosdoshme dhe janë ato të cilat opozita gati para një viti e gjysmw i ka artikuluar dhe më pas që nga djegia e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale e bënë akoma më prezente dhe më të dukshme problematikat që shfaqte qeverisja e rilindjes dhe kushtet e Bundestagut ishin shumë të qarta të cilat ishin një roadmap jo vetëm për Shqipërinë por edhe BE por edhe për SHBA të cilat i shikonin 9 kushtet e Bundestagut si të vetmen mundësi për nxjerrjen e vendit nga kriza duke filluar me tryeza të reformës zgjedhore dhe ku opozita ka qenë e përfshirë në tryezat në nivele teknike pra duke facilituar të gjitha tryezat e OSBE në nivel teknikësh dhe ekspertësh dhe duke krijuar dhe grupet e punës të së gjithë opozitës së bashkuar për të ofruar platformën dhe idetë e saj përsa i përket reformës zgjedhore sepse një nga kushtet kryesore të Bundestagut gjerman të cilat janë mbështetur dhe nga BE ka qenë një reformë zgjedhore dhe implementimi i saj që do të thotë e vetmja mënyrë për daljen dhe nxjerrjen e vendit nga kjo krizë politike e cila po shkon dhe po thellohet drejt një krize ekonomike dhe më pas sociale ishin e vetmja zgjidhje e kësaj dhe më pas vazhdojmë etapën tjetër që është ngritja e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë gjë e cila nuk është kusht që e ka në dorë opozita por janë kushte të cilat janë në dorë mazhorancës e cila haptazi duket tashmë që prej 2 vitesh ka qenë ajo që ka sabotuar ngritjen e institucioneve të drejtësisë duke filluar me zvarritjen e KLGJ dhe KLP dhe pas një denoncimi që kemi bërë ne si Lëvizja Socialiste për Integrim në institucionet ndërkombëtare qoftë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës qoftë dhe në BE. Tashmë kemi haptas kapjen dhe tentativat që po bën mazhoranca për kapjen e Gjykatës Kushtetuese.
Sot kemi një skaner të sistemit të drejtësisë ku duket haptas një reformë në drejtësi e cila u votua me 100% nga e gjithë klasa politike pra me një konsensus politik që ishte i domosdoshëm, sot kemi një skaner të qartë ku shikojmë një mazhorancë e cila është e ndërtuar në një parlament ilegjitim e cila kërkon të bëj tashmë ndryshimin e kushtetutës sepse tregon haptas dëshirat e saj për kapjen e Gjykatës Kushtetuese, gllabërimin e Gjykatës të Lartë dhe gjithë institucionet e drejtësisë prandaj dhe ka bllokuar ecjen e mëtejshme të reformës në drejtësi, kështu që të tëra këto çështje janë aksion opozitar dhe mos të harrojmë që oksigjenin më të madh që Edi Rama e ka marrë, nuk e ka marrë nga qytetarët shqiptarë por e ka marrë nga bandat e krimit të organizuar dhe nga lobimet e qarqeve anti-shqiptare në institucione ndërkombëtare për të faktorizuar ose për të shtyrë sa më pak pushtetin e Ramës në Shqipëri dhe për të arritur më pas ato qëllimet e tyre anti-shqiptare dhe tjetra që dua të them, tërmeti i 26 nëntorit ka qenë një nga fatkeqësitë natyrore më të mëdha që ka kapur Shqipërinë post komuniste. Edhe në këtë 100 vjeçar të jetës të shtetit shqiptar, ka dëmtuar jo vetëm jetë njerëzish dhe dëme materiale por post trauma e tërmetit vazhdon dhe do të jetë akoma më e thellë në të ardhmen. Dhe mendoj që aksioni opozitar, nuk ka qenë thjesht evidentimi dhe takimi me familjet e prekura sepse çdonjëri nga ne që ka bërë atë e ka bërë në mënyrë individuale, solidare dhe njerëzore dhe them gjithmonë dhe jam e bindur që çdo ndihmesë i kujtdo që bëhet mediatikisht për mua, është shpërdorimi dhe luajtja me fatkeqësinë e tjetrit. Megjithatë kjo është zgjedhje e gjithsecilit nga ne. Tashmë aksioni opozitar sigurisht që do të fillojë do të vazhdojë. Secili nga ne mënyrën e tij por duke u rakorduar si grup opozitar i bashkuar. Çdo parti politike nga ajo kolibja e saj politike, mund të themi që do të ketë aksionet e veta politike të rakorduara me njeri-tjetrin. Por qëllimi është një, hapja e negociatave në Shqipëri në këtë pranverë.
Znj.Kryemadhi përballë gjithë kësaj panorame që ju po bëni, a ka një sjellje më konstruktive, më normale sesa duhet të opozitës? Ka njënonsens për faktin se nga njëra anë themi se është një krizë e thellë politike, ekonomike, përtej kësaj ka njëtentativë që ju denonconi të qeverisë për të kapur institucionet e drejtësisë. Kemi një konflikt të hapur të Presidentit me qeverinë pikërisht për këtë dhe konkretisht për Gjykatën Kushtetuese…
Nuk mund të them këtë sepse normalisht që mediat dhe njerëz të tjerë të cilët duan të kenë ngjarje politike, do të kërkonin një konflikt trup më trup të opozitës me mazhorancën. Nuk mendoj që ne jemi në mesjetë apo në kohën e shpatave dhe të shigjetave që duhet të rrëmbejmë armët. Ky është veprimi i fundit që mund të bëjë një popull ndaj një diktature, duke konsumuar të gjitha mjetet demokratike dhe duke konsumuar çdo proces demokratik që ka të bëjë për rivendosjes e rendit kushtetues.
Ka ende mjete demokratike që duhen konsumuar?
Sigurisht që ka ende mjete demokratike. Ka ende strategji të cilat janë në funksion të veprimeve demokratike ajo që ne mendojmë është që mos mendoni që ushtria që do të përdorë Edi Rama kundër shqiptarëve janë ata që e duan më shumë Ramën. Përkundrazi janë ata që urrejnë më shumë Edi Ramën. Do të shikoni që në janar e gjithë armata e tij e policisë dhe e ushtrisë do të jenë që nuk do kenë mundësi të paguajnë rrogat me ta. Armata e mjekëve dhe infermierë që janë like dhe sharë në Facebook-un e z.Rama apo që janë pjesëtarë të aktiviteteve të z.Rama në bashkëbisedimet e tij me qeverisjen që duan, janë ata që nuk do të paguhen etj kështu me radhë. Pra mos të mendojmë që kemi një situatë ajo që shikojmë mëngjes për mëngjes “Photoof the day” të kryeministrit apo të Rilindjes. Por ajo që është më e rëndësishmja, mjafton të dilni në rrugicat qoftë dhe këtu në Bllok të Tiranës, do të shikoni që ‘Photoof theday’ është mjerimi, varfëria, papunësia, është mungesa e shpresës. Rama jo vetëm që është i vetëkënaqur por ka një problem tjetër të cilin nuk e zgjidhim dot me mjete politike por me mjete mjekësore, gjë për të cilën duhet një komision shëndetësor për të bërë analizën shëndetësore dhe psikike të tij.
Znj.Kryemadhi a mendoni se Kryeministri ka një forcë më shumë sesa një Kryeministër normal edhe për faktin se opozita është treguar ndoshta siç këmbëngul, më shumë konstruktive sesa duhet dhe këtu mund të përmend edhe faktin që ishte një protestë disa mujore dhe u ndërpre çuditshëm vetëm disa ditë para zgjedhjeve vendore?
Sigurisht që ju prisni që strategjia e opozitës të jetë online për të gjitha mediat. Mos të harrojmë që sa herë që ne kemi tentuar dhe kemi qenë transparentë përsa i përket strategjisë ka qenë Rama ai që ka sabotuar të gjithë axhendën e opozitës. Kështu që ne kemi qenë shumë diskret në axhendën tonë. Nuk ka të bëjë fare tërheqja nga protestat për zgjedhjet e 30 qershorit dhe votimet e Edi Ramës. Normale që Edi Rama kërkonte viktima në 30 qershor. Kërkonte djegie të qendrave të votimit më 30 qershor, kërkonte dhunë në 30 qershor që të thoshte që “këta” janë të dhunshëm por në fakt qëndrimi ose tallja që i bëri opozita votimeve të Edi Ramës çfarë prodhoi? Prodhoi për herë të parë mbas 30 vitesh një raport të OSBE-ODHIR dhe raporti i OSBE-ODHIR-it i zgjedhjeve të 96 që besoj që një pjesë e mirë e shqiptarëve duhet ta mbajnë mend është 10 herë më i rëndë se raporti i 96, të cilat të gjitha institucionet ndërkombëtare ja kthyen mbrapsht Sali Berishës atëherë, sepse pas 96, u bënë zgjedhjet e 97. Nëse do të kishim ndjekur, nëse ne nuk do të lejonim njerëzit të shkonin të votonin normal nuk do të kishim një raport të OSBE. Normal që Edi Rama edhe i vetëm në zgjedhje, sepse sot të gjithë tallen me rezultatet e KQZ të Edi Ramës, që rezultati u doli mbas 1 muaji. I vetëm në zgjedhje. Pra sepse morën pjesë 100 mijë votues thotë ai por dolën 120 mijë vota në kutin e votimit. Dmth që është qesharake. As matematikë nuk dinë të bëjnë. As rakordim të procesit zgjedhor të cilin e bënë vet, e votuan vet, e numëruan vet, i votuan vet, i shqyrtuan vet, nuk arritën dot ta bënin. E para dhe e dyta, zgjedhjet e 30 qershorit treguan që Edi Rama është i lidhur kokë e këmbë me krimin e organizuar. Deri më sot, ke dy kryetar bashkie të shkarkuar për shkak të lidhjes së tyre dhe të dënuar. Dhe kemi edhe një kryetare bashkie që tha jam e lumtur që kanë vdekur 51 veta. Ky është. Dhe ka akoma dhe sa të tjerë kryetar bashkishë që Edi Rama i ka zgjedhur vetëm. Kush e ndalonte Edi Ramën në Shkodër mos të zgjidhte Valdin Pjetrin, por të zgjidhte një profesor, një grua, një vajzë, një djalë të nderuar pa të kaluar. Edi Rama e dinte shumë mirë që Valdin Pjetri ishte me të kaluar. E dinte jashtëzakonisht mirë sepse i kishte hyrë garant Sekretari i tij i Përgjithshëm. I cili do t’i merrte përsipër dëshminë e penalitetit të shtetit Italian fqinj duke qenë që ai ka lidhje të vjetra me drejtësinë italiane. Ka qenë avokat i zyrave të avokatisë nga më të njohurat. Dhe e dinte këtë gjë. Pse duhet të vendoste Valdin Pjetrin? Sepse lidhja e tij me krimin e organizuar janë detyrime dhe borxhe që ka Edi Rama ndaj krimit të organizuar në Shkodër etj, etj, apo sepse nuk rri dot Edi Rama pa këta? Ma thoni, po të bënim ne këtë do u merrte njeri me Valdin Pjetrin? Jo. Do u merrte njeri me Gim Kajmakun e Vorës? Jo. Kështu që, kjo është historia e asaj. Dhe për hir së të vërtetës, normal që medias do t’iu interesonte molotovë, fishekzjarrë, dhunë në rrugë dhe në qendra votimi sesi ziheshim ne si barbarë dhe nuk do merrej njeri me atë çfarë Edi Rama përfaqëson. Përfaqëson krimin e organizuar. Pra shikojeni në këtë drejtim. Shikojeni në këtë drejtim që kemi një komunitet ndërkombëtar që ka një raport prej 34 faqesh të OSBE-OHDIRit ku e bënë copë procesin e 30 qershorit dhe asnjë nuk merret me procesin e 30 qershorit. Asnjë nuk merret me një KQZ që për herë të parë në 30 vjet tranzicion asnjë raport kombëtar nuk ka cënuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Por, për herë ta parë kemi një raport zyrtar, ndërkombëtar që thotë kemi një KQZ politike. Kemi një raport që bën copë sistemin e drejtësisë. Pra kemi një Kolegj Zgjedhor i cili kërcënohet nga qeveria me procesin e vettingut. Pra të thotë hapur një raport ndërkombëtar që procesi vettingut përdoret për të kërcënuar gjyqtarë dhe për favor të qeverisë dhe asnjë nuk merret me raportin e OSBE-OHDIR-it por të gjithë merren pse nuk dogjët ju qendrat e votimit me 30 qershor. Pra, shikoni të gjithë, dashje pa dashje edhe ne vet brenda opozitës por edhe mediat edhe gazetarët bien herë pas here viktimë e propagandës së Edi Ramës. Nuk merremi ne me çfarë ka prodhuar Edi Rama, sesi shqiptarët largohen, vendet e punës mbyllen, sesi invenstitorët e huaj largohen, sesi sistemi drejtësisë përdoret nga Edi Rama për të gjykuar ose për të shantazhuar të tjerë.
Znj. Kryemadhi, kjo tërheqje e opozitës…
Jo kjo nuk është tërheqje, është strategji. Më thuaj nëse ne do digjnim qendrat e votimit kush fitonte, Edi Rama apo opozita?
Ju mund të merrnit pjesë në zgjedhje e 30 qershorit dhe të fitonit.
Po s’ka. Zgjedhjet kanë qenë me dekret të presidentit me 13 tetor. Nuk ka zgjedhje 30 qershori. Tani të të bëj një pyetje. Pse anjë media nuk merret me vendimin e KQZ-së që nuk më la të drejtën mua për të marr pjesë në komision? Që unë duhet të kisha anëtarët e komisionit. Sepse e kam me Kushtetutë, e kam me Kod Zgjedhor dhe KQZ-ja mori një vendim të pa ligjshëm. Asnjë media nuk u mor me këtë.