Basha uron 30-vjetorin e LDK: Nderime për Rugovën! Sfidat i kemi përpara

Hënë, 23 December 2019 10:31

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, uroi Lëvizjen Demokratike të Kosovës me rastin e 30-vjetorit të themelimit. “Sot në këtë 30 vjetor të themelimit, personalisht dhe në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, dua nga zemra t’i uroj mbarësi e suksese simotrës tonë Lidhjes Demokratike të Kosovës, drejtuesve dhe mbështetësve të saj.

LDK lindi në një kohë të errët pushtimi, si shpresë e shqiptarëve të Kosovës për çlirim kombëtar dhe demokraci. Në themel të njërës prej arritjeve më të mëdha të historisë së shqiptarëve, në themelet e Pavarësisë së Kosovës qëndron shpirti, djersa dhe gjaku i drejtuesve, mbështetësve dhe atyre që besuan te LDK. Historia e LDK është histori e krenarisë së Kosovës, është pjesë e krenarisë kombëtare.

Veçanërisht në këtë ditë, është çasti të kujtojmë me nderim themeluesin e LDK, udhëheqësin e shpirtit të Kosovës së pavarur Presidentin Ibrahim Rrugova, si shembull largpamësie, emancipimi, kurajo dhe qëndrese.

Drejtuesve të LDK bashkë me urimin, dua t’i garantoj se te Partia Demokratike e Shqipërisë, do të gjejnë përherë mbështetjen vëllazërore, partneren e qëndrueshme dhe të palëkundur të Kosovës së pavarur dhe sovrane dhe të zhvilluar.

Sfidat i kemi përpara, por bashkimi i forcave, vizionit dhe vullneteve tona, do të bëjë të mundur t’i përmbushim me sukses ato në shërbimin më të mirë të interesave tona kombëtare.

Gëzuar 30 vjetorin të dashur vëllezër dhe motra të LDK! Zoti e bekoftë Kosovën, Shqipërinë, dhe shqiptarët kudo ku janë!” thuhet në mesazhin e Bashës.

Login to post comments