Pasi kryeministri Edi Rama e përmendi sot në një deklaratë teksa fliste për bashkitë që janë ende pa kryetarë, vjen një reagim nga Voltana Ademi. Kryetarja ende në detyrë e Bashkisë së Shkodrës në një prononcim për ‘BalkanWeb’ nuk i ka kursyer akuzat për kreun e qeverisë, duke e cilësuar Ramën “një njeri i çmendur që ka rrisk të na hedh ekonomikisht në humnerë”.
Po ashtu kryebashkiakja tha se kreu i qeverisë po bën show me fatkeqësinë që solli tërmeti i 26 nëntorit, që la pas 51 të vdekur.
“T’ju them të drejtën, nuk e kam dëgjuar këtë deklaratë, sepse isha në një aktivitet për mbështetjen e gjithanshme të artizanëve në Shkodër. Madje, e kam randë ta shoh Ramën në shoë-un që, edhe mbi një fatkeqësi siç është tërmeti i 26 nëntorit me 51 jetë të humbura, po bën paturpësisht. Shkodra është fatmirësisht qyteti me njerëzit e lirë e solidar, që punojnë e me shumë sakrifica jetojnë, përballen me të keqen sharlatane që i ashtuquajturi kryeministër ka mbjell në ketë vend. Bashkia Shkodër është bashkia pa borxhe, që ka dyfishuar të ardhurat e veta, që ka performancën më të mirë në menaxhim dhe administrim, është bashkia transparente dhe që lufton korrupsionin, që u del për zot halleve të bashkëqytetarëve te vet, që shërben e që përpiqet të ndërtojë përditë e me shumë mund.
Meritë e kësaj janë shkodranët dhe askush tjetër.
Sa për situatën e rëndë, në tokën tonë nuk di të kemi patur ndonjë krizë më të madhe ekonomike, sociale, nuk di të kemi patur kaq shumë rrjedhë, e pa pushim, emigracioni të “trurit”, nuk di të kemi patur një shkatërrim kaq të madh të sistemit institucional. Nuk di të kemi patur një shkatërrim të burokracisë dhe të administrimit institucional e shtetëror, nuk di të kemi patur ndonjëherë kaq shumë pasiguri, nuk di të kemi patur kaq shumë korrupsion. Nuk di të kemi patur kaq shumë grabitje të pronës e parave publike, nuk di të kemi patur nivel kaq të ulet të investimeve publike, nivel kaq të ulët e pasiguri të investitorëve dhe investimeve private të huaja ( investitorët e huaj janë zhdukur me vrap nga ky vend). Nuk di të kemi patur, kaq sa sot, dhunim të të drejtave të njeriut, nuk di të kemi patur kaq shumë mashtrim përkundrejt lirisë dhe të drejtës për informim, nuk di të kemi patur kaq shume shkelje e mosrespektim të kushtetutës, ligjeve në fuqi e institucioneve, nuk mbaj mend të jemi ndjerë kaq pa shpresë..
Çdo deklaratë tjetër jashtë këtij konteksti, është thjesht shoë i radhës i të ashtuquajturit kryeministër. Dhe s’kemi parë asgjë akoma…zhytja në errësirën e deficitit financiar, inflacioni që do të rritet për shkak të administrimit të keq të parave dhe institucioneve financiare të shtetit, paaftësia për përballjen me fatkeqësinë natyrore dhe çmenduria që prodhon veç një njeri i çmendur, ka rrisk të na hedh ekonomikisht në humnerë !!!
Viti tjetër unë uroj të jetë një vit i qetë për shqiptarët…
Për ta bërë këtë do të duhet të bëhemi bashkë, për të hequr të keqen, e për të themeluar atë (demokracinë) që nuk arritëm dot ta ndërtojmë……
E vështirë do të jetë shumë! S’kemi rrugë tjetër!”, pohoi Voltana Ademi për ‘BalkanWeb’.
Kujtojmë se sot kryeministri Edi Rama teksa u pyet nga gazetarët në lidhje me faktin se çfarë do të bëhet me ato bashki që aktualisht janë pa kryetarë bashkish, ai u ndal dhe tek Shkodra. Duke mos i kursyer irontë për Ademin, ai tha se; “Sa i përket Shkodrës nuk ka një vendim. Është në situatën më të rëndë, ka një kryetare që është e nuk është kryetare. Po është një çështje që nuk është në dorën tonë, presim të marri një zgjidhje.”.