Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shprehet përmes një postimi në “Facebook” se mendimet dhe lutjet e tij në këtë festë Krishtlindjesh janë për qytetarët në nevojë, dhe kryesisht për ata që u goditën nga tërmeti i 26 nëntorit.
Duke shpërndarë disa foto nga takimet e ditës së sotme, Basha shprehet se beson që kjo ditë e shenjtë e Krishtlindjes ka fuqinë dhe magjinë për të bashkuar shqiptarët si një familje për t’u përballur me çdo të keqe.
“Në këtë ditë të bekuar të Krishtlindjes pata kënaqësinë të ndaja urimin me besimtarët e krishterë nga Kisha e Shën Palit në Durrës dhe Kishat e Shën Mhillit dhe Shna Ndout në Laç.
Mendimet dhe lutjet e mia janë për ata që janë më shumë në nevojë e në veçanti, për të goditurit nga tërmeti i 26 Nëntorit. Mirënjohje shërbëtorëve të Zotit që janë gjendur pranë njerëzve në nevojë që në çastet e para të fatkeqësisë që la pas tërmeti.
Kam besim se kjo ditë e shenjtë e Krishtlindjes, ka fuqinë dhe magjinë për të bashkuar shqiptarët si një familje, për tu përballur me çdo të keqe dhe për të dalë në dritën e begatisë dhe bekimit të Zotit!
Sjelltë kjo ditë besim dhe shpresë dhe ua mbushtë zemrat me dritë të gjithë shqiptarëve. Zoti e bekoftë Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët kudo ku janë!”, shkruan Basha.