Opozita e bashkuar nuk ka ende një konsensus nëse duhet ndryshuar apo jo sistemi zgjedhor dhe nëse po, cili do të ishte më i përshtatshëm për Shqipërinë.
Grupi i punës që udhëhiqet nga drejtuesi politik Gazment Bardhi, vijon punën prej disa muajsh për të dalë në janar me draftin e tij final.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, sekretari i PD-së për çështjet zgjedhore, Ivi Kaso, tha se grupet e punës vijojnë diskutimet sa i përket sistemit zgjedhor. Kaso theksoi se prioritet i PD-së është adresimi i shqetësimeve të evidentuara nga OSBE/ODHIR-i. “Prioritizimi që opozita u ka bërë çështjeve të reformës synon t’u japë zgjidhje problemeve më të mprehta të zgjedhjeve, veçanërisht ato të cilat janë të evidentuara në raportet e fundit të ODIHR-it.”, tha ndër të tjera Kaso.
Ndërkohë, sekretari për çështjet zgjedhore i PD-së shtoi se opozita është e përgatitur të fitoj zgjedhjet e parakohshme, edhe me kodin elektoral aktual, por vetëm nëse zgjedhjet organizohen nga një qeveri e përkohshme. Po ashtu, Kaso akuzoi kreun e qeverisë se po tenton të bllokojë Reformën Zgjedhore gjithëpërfshirëse.
Z. Kaso, pak javë më parë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, deklaroi se opozita është gati të konkludojë Reformën Zgjedhore brenda janarit. Në draftin tuaj të Reformës Zgjedhore, ka ndonjë propozim për ndryshimin e sistemit? Në Komisionin e Posaçëm Parlamentar të Reformës Zgjedhore, dy deputetë, Myslym Murrizi dhe Halit Valteri, dorëzuan një propozim për sistemin zgjedhor, ndërsa maxhoranca u shpreh e gatshme për të diskutuar për këtë, ndërsa mësohet se nuk është prioritet i tyre. Ka opozita ndonjë propozim ose sistem preferencial, të cilin e ka diskutuar në grupin e punës?
Padyshim që çështja e sistemit, është aspekti i reformës që tërheq më shumë interes mediatik dhe të një pjese të publikut, por prioritizimi që opozita u ka bërë çështjeve të reformës synon t’u japë zgjidhje problemeve më të mprehta të zgjedhjeve, veçanërisht ato të cilat janë të evidentuara në raportet e fundit të ODIHR-it. Në këtë kontekst, diskutimi për sistemin zgjedhor përbën padyshim një temë të rëndësishme në axhendën e tryezës së ekspertëve të opozitës, ku po trajtohet në mënyrë parimore, serioze e shteruese, duke u përpjekur të evidentojmë sistemin, pikat e forta e të dobëta të sistemit aktual dhe avantazhet e mundshme të sistemeve të tjera. Diskutimi ende vijon midis aleatëve tanë dhe Partia Demokratike është e përkushtuar për të mbështetur çdo vendimmarrje të tryezës së aleatëve për një sistem sa më përfaqësues, i cili do të garantojë legjitimitet të institucioneve të dala nga zgjedhjet, stabilitet dhe mbi të gjitha besim publik në qeverisje.
Kreu i PD-së tha në një mbledhje të Kryesisë së Partisë Demokratike dhe ish-Grupit Parlamentar se Kryeministri Rama po përpiqet të bllokojë Reformën Zgjedhore, duke mos përfshirë të gjitha palët. Ka pasur kohët e fundit ndonjë përpjekje tjetër të ndërkombëtarëve për një tryezë të radhës dhe që është refuzuar nga kreu i qeverisë? Ose si po e bllokon Rama reformën?
Tentativa e Ramës për të miratuar i vetëm një pseudoReformë Zgjedhore, shkon në krah diametralisht të kundërt me kushtin e Bundestagut për një Reformë Zgjedhore të miratuar me kontributin e të gjithë aktorëve politikë relevantë. Kjo, për këdo që ende ka ndonjë keqkuptim, është treguesi më i qartë se cila nga palët politike e ka seriozisht, jo vetëm Reformën Zgjedhore, por mbi të gjitha përmbushjen e kushteve të partnerëve ndërkombëtarë dhe progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian.
Qeveria ka shtyrë deri në mars gjendjen e jashtëzakonshme, çka nënkupton se deri në mars, nuk mund të ketë zgjedhje të parakohshme. Kur mund të jetë koha e përshtatshme, sipas jush, duke marrë parasysh edhe kohën që duhet për të implementuar Reformën Zgjedhore?
Opozita është e përkushtuar për të ofruar kontributin dhe zgjidhjet e saj në një kohë fare të shkurtër, çka i hap rrugën miratimit të tyre në Parlament, në fillim të këtij viti, nëse ka vullnet për të miratuar një reformë konsensuale, e cila në substancë pasqyron standardet më të larta zgjedhore ndërkombëtare. Nga ana tjetër, opozita është e përgatitur për të fituar zgjedhjet e parakohshme kurdo kur ato mund të mbahen, qoftë me Reformë Zgjedhore të miratuar e qoftë me Kodin aktual, i cili gjithsesi do të ofronte garanci për zgjedhje të lira, nëse do të implementohej nga një qeveri kujdestare, jashtë konfliktit të interesit me zgjedhjet e lira.
Mendoni se identifikimi, votimi dhe numërimi elektronik mund të implementohet që në zgjedhjet e ardhshme në të gjithë vendin?
Sistemi i ilustruar në kuadër të propozimeve e të zgjidhjeve të ofruara nga ana jonë për identifikimin biometrik të zgjedhësve dhe votimit e numërimit elektronik, nga ana teknike është i gatshëm për t’u implemetuar njëherazi në të gjithë vendin, në një kohë shumë të shkurtër. Ajo çka nevojitet, është mbështetja edhe besimi i të gjitha palëve politike te teknologjia, çka do të ndikojë te përmirësimi i klimës së besimit të të gjithë zgjedhësve te procesi zgjedhor dhe te legjitimiteti i institucioneve të dala nga zgjedhjet.
Cili është propozimi i opozitës për depolitizimin e administratës zgjedhore?
Implementimi i teknologjisë është rruga më e shpejtë, e ndershme dhe e besueshme për depolitizimin e administratës zgjedhore, ku shumë shpejt komisionerët partiakë do të zëvendësohen nga staf teknik, i cili do të përkujdeset vetë për mbarëvajtjen e makinerive të votimit e numërimit e për orientimin e zgjedhësve për një proces normal zgjedhor.
Duhet shkrirë sipas jush KQZ-ja?
Ende tryeza e opozitës nuk ka konkluduar një qëndrim përfundimtar lidhur me modelin e KQZ-së së ardhshme, por një gjë është e sigurt: kjo KQZ, e cila ka drejtuar procesin kriminal të 30 qershorit, ka uzurpuar kompetencat e institucioneve të tjera dhe ka marrë atributet e gjykatave, nuk mund të administrojë zgjedhjet e ardhshme, të cilat do të prodhojnë rotacionin politik të mezipritur nga të gjithë shqiptarët.