Nga Boldnews.al
Datë 1 janar 2020, dhjetëra forca të shërbimit sekret turk kryejnë një operacion në Shqipëri për të “paketuar” një shtetas turk si të dyshuar si pjestar i lëvizjes Gyleniste, e akuzuar në Turqi si përgjegjëse për të ashtuquajturin tëntativë e grushtit të shtetit, në korrik 2016.
Harun Çelik 42 vjeç me profesion mësues, pasi përfundoi dënimin në Shqipëri, për akuzën e falsifikimit të dokumentave dhe tentativë për kalim të paligjshëm të kufirit, nuk iu pranua as të bënte kërkesën për azil, por me vendosëmëri “sulltanore”, u dërgua si “dhuratë e parë” në Turqi për mikun Erdogan.
Kjo është padyshim një skandal shtetëror, duke e përfshirë Shqipërinë ndër vendet të cilët nuk përmbushin detyrimet që kanë për të drejtat e njeriut. Gjithashtu është edhe një “marifet shejtan” i qeverisë shqiptare që e largon gjithnjë e më shumë nga marrëdhëniet me perëdimin apo SHBA-në.
Në konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, në nenin 19, pika 2 thuhet se: “Askush nuk mund të hiqet, përzihet ose ekstradohet drejt një Shteti ku ka rrezik serioz që ai apo ajo t’i nënshtrohet dënimit me vdekje, torturës apo trajtimeve të tjera ç’njerëzore apo degraduese.”
Shqipëria e ka nënshkruar, por me dëbimin pa u ndjekur procedurat dhe duke ia dorëzuar si “pako postare” një shteti me probleme serioze në respektimin e të drejtave të njeriut po luan me një zjarr që më shumë se të ngroh, të djeg.
Eurodeputetja Ramona Strugariu reagoi menjëherë duke kritikuar qeverinë shqiptare përmes një statusi në Twitter. “Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Shqipëria ka firmosur Konventën e Këshillit të Europës mbi ekstradimin. Për më shumë, ju thoni se Shqipëria është gati për në BE. Atëherë ju lutem respektoni nenin 19, pika 2 të Kartës Europiane për të Drejtat Themelore dhe mos e ekstradoni #HarunÇelik në Turqi!” shkroi ajo.
Po përse kryeministri Edi Rama hapi shtegun për të ekstraduar drejt turqisë kundërshtarët e mikut Rexhep Taip Erdogan? Pas pasojave të tërmetit tragjik në vendin tonë, Rama vizitoi Turqinë, ku duke përdorur fjalët e Kur’anit dhe u sjellë si një “imam-politikan-bajalldi”, kërkoi që vendi ynë të ndihmohej. Presidenti turk premtoi ndërtimin e 500 banesave në Shqipëri dhe i kërkoi palës shqiptare që vetëm ti përcaktonin vendin dhe ishin gati të nisnin punë.
Një ndihmesë e madhe nëse vërtetë realizohet dhe Rama si “shpërblim të vogël” i dha një prej kundërshtarëve të regjimit të Erdoganit. Por kjo nismë ka pasoja të tjera për Ramën, pasi si SHBA ashtu edhe vendet e BE-së kanë refuzuar të ekstradojnë drejt turqisë çdo qytetar turk i cili pretendon se përndiqet në vendin e tij, apo të jetë përkrahës i klerikut Fetulla Gylen, i cili ndodhet në SHBA.
E për një fshat të madh të ndërtuar Rama është gati të shesë më shumë se një “copë mësues”, që për nga rëndësia është fare i vogël para batërdisë së madhe dhe çerdhes së rrezikshme të turqizmit që është ulur këmbëkryq në vendin tonë.
Po ky “shejtan budalla” i yni, zgjodhi një të shkretë mësues për ta dërguar si një formë bashkëpunimi dhe mirënjohje, pasi nga ana tjetër, me drejtues të rëndësishëm të lëvizjes Gyleniste, ndan ofiqe e bën biznese në Tiranë. Padyshim që edhe Erdogan këtë e di fare mirë, por Edi tashmë është kthyer në si një “nuse haremi” që plotëson dëshirat e Sulltanit të madh, qoftë edhe për pak kohë.
Një gjë e tillë ndodhi në Kosovë një vit më parë ku pesë shtetas turq që punonin dhe jetonin në Kosovë dhe ishin shpallur në kërkim nga Ankaraja zyrtare si të përfshirë në lëvizjen Gyleniste u arrestuan dhe dërguan në Turqi, duke u shkelur parimet kryesore për një proces të drejtë ligjor dhe shqyrtim të kërkesës së azilit. Kryeministri Ramush Haradinaj e shkarkoi ministrin e brendshëm menjherë pas këtij skandali dhe u distancua prerazi duke refuzuar të paguajë haraç vasalesh duke ja lënë në derë Hashim Thaçit dhe institucioneve të dominuar nga veglat e tij këtë veprim të bëftë.
Po Edi Rama çfarë do të bëjë në këtë rast? Është zbuluar se Harun Çelik ka refuzuar të ekstradohet, madje menjëherë pasi la burgun kërkoi azil, por kjo kërkesë as nuk është regjistruar, por u mor dhunshëm nga disa agjentë të shërbimit sekret turk, në bashkëpunim me strukturat e rendit në vendin tonë dhe u ekstradua drejt Turqisë, pikërisht në ditën e parë të vitit 2020.
Qeveria jonë po e merr fare lehtë këtë rast, madje duke e injoruar dhe bërë rolin e të paditurit, duke e konsideruar ngjarjen si një rutinë ligjore, pasi sipas tyre, çdo person që kapet duke kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, ekstradohet në vendin e origjinës. Por ky nuk është rasti, pasi Shqipëria ka të nënshkruar Konventën e të Drejtave të Njeriut dhe minimalisht duhet të japë llogari për vendet e BE-së të cilët kanë ngritur shqetësimin për nismën e qeverisë shqiptare.