Monika Kryemadhi, kryetarja e LSI, ka marrë fjalën në Konventën e LSI së Tiranës sot, ku ka deklaruar se Shqipëria e ka një rrugë, e ka një zgjidhje që jep shpresë. Po ashtu, Kryemadhi ka shpalosur politikën e dyerve të hapura të LSI dhe i ka bërë thirrjen “ejani” shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit deri në Australi. “Po, ka një shpresë, - tha Kryemadhi. - Ka një zgjidhje. Shqipëria ka vetëm një rrugë: Integrimin në BE dhe aleancën me SHBA. Serioziteti dhe luajaliteti janë elementë thelbësorë të një politike të jashtme në të mirë të rajonit.
Ne jemi sot nën qeverisjen e një grupi kriminal antishqiptar, por jemi një komb i madh që ka ditur të ngrihet nga vuajtja dhe diktatura.
Sot në emrin tuaj dua të shpalos fushatën e dyerve të hapura në të gjithë Shqipërinë, në Evropë, SHBA, Australi e kudo. Kam besuar se politika më e mirë ka qënë “Një shans për të gjithë”.
Dyert e LSI janë të hapura për të gjithë. Ne e afrojmë këtë investim për cilindo që afron kontributin e tij. në emër të dekadës së re, ju ftojmë ju pedagogë të rinj që të angazhoheni dhe të ndreqim gabimet e mëdha në arsim. Ejani ju mjekë të rinj, bashkë me humanizimin tuaj që të ndryshojmë sistemin e antivlerave në mjekësinë shqiptare, që të mos e bëjmë një makineri fitimi për koncensionarët e qeverisjes.”