Shqipëria në krizë/ Krim, mjerim e tradhti ngado, qeveria askund

Tuesday, 07 Janar 2020 20:15

Shqipëria e mbylli vitin që shkoi në mënyrën më të keqe të mundshme dhe e ka nisur sërish në mënyrë katastrofike.

Dhjetë viktima janë shënuar për një javë. Krimi ka nxjerrë kokën në mënyrën e tij më të frikshme. Dy vrasje tipike mafioze janë regjistruar brenda pak orësh në dy qytete të vogla të vendit. Grabitjet me pasoja edhe në njerëz po bëhen të zakonshme. Krimi po godet mbi pushtetin e kalbur dhe të kriminalizuar të socialistëve, duke treguar edhe njëherë sa thellë është rrënjosur e keqja nën drejtimin e Edi Ramës.

 

Por jo vetëm kaq, mjerimi është ulur po ashtu këmbëkryq në vend. Pamjet e çadrave ku po kalojnë ditët ata që janë prekur nga tërmeti, janë për të ardhur keq. Edhe ata që nuk janë prekur nga tërmeti, preken çdo ditë nga drama që përjeton një njeri që jeton në një shtet të falimentuar. Videot nga Rinasi, me njerëz që shtyhen dhunshëm nga policia vetëm pse kërkojnë të drejtën e tyre, janë mjaft të rënda.

 

Shqipëria po lëngon. E vetmja fushë ku qeveria duket se i ka gjërat mirë janë marrëdhëniet me Serbinë. Shqiptarët ngado që janë, e akuzojnë për tradhti, por ajo nuk duket e shqetësuar. Në fakt nuk duket i shqetësuar Edi Rama, sepse qeveria e tij ka ikur në drejtim të paditur. Tre ministrat që duhej të ishin më aktivë në këtë kohë, janë zhdukur.

 

Sandër Lleshaj, ministër i Brendshëm, u shfaq pas shumë kohësh për një moment në qytetin e tij të Rrëshenit, që është tronditur nga një vrasje mafioze, thuajse e paralajmëruar. Një serial krimesh që nuk po ndalen në qytezën e vogël. Por ai nuk ka folur për asnjë krim. Madje as për faktin që një shtetas turk u rrëmbye në Tiranë nga shërbimi sekret turk. A nuk ishte ai ministri i trumbetuar si frymë perëndimore në Tiranë? Pse nuk reagon për këto akte anadollake? Ah, po. Në Kosovë, homologu i tij u shkarkua kur ndodhi diçka e ngjashme.

Gent Cakaj, ministri i Jashtëm po ashtu nuk ka më zë. Thuhet se mes tij dhe Edi Ramës ka pasur fërkime për disa çështje dhe ai rrezikon shkarkimin. Pak rëndësi ka. Tani që qeveria e tij është akuzuar si tradhtare e Kosovës, dhe kur rajoni po zien me zhvillime të frikshme, ai ka humbur pa gjurmë.

Anila Denaj si ministre e Financave duhej të ishte violinë e parë pas tërmetit. Vendin e saj e ka zënë sërish Arben Ahmetaj, që u ka premtuar qytetarëve të prekur nga tërmeti se do e marrin... një përgjigje. Zgjidhje nuk ka.

Në këtë histori i vetmi që po duket ndonjëherë është Edi Rama. Por kaq e rëndë është situata, sa as batutat e tij pa shije nuk po ndjehen në mediat e shumta që i shkojnë nga pas. Zymtësi kudo...

Login to post comments