Ish-Ministri, Ylli Manjani, vlerëson se presidenti Ilir Meta e humbi mundësinë e tij për të afruar palët politike në dialog.
Në një koment të shkurtër për "Temporan", ai është kritik edhe për kursin politik të Kreut të Shtetit ndaj Ambasadorëve.
Manjani: Për Presidentin e Republikës, kushtetuta, ligji, procesi, procedurat janë të shenjta dhe të paprekshme. Dhe në këtë pikë presidentit aktual i jepet nota 10-të, pa mëdyshje. Por tek pjesa e nxitjes së dialogut politik në vend, mendoi që presidenti humbi mundësinë që të ishte një faktor paqësues dhe një faktor ndërmjetësues e një politike të harbuar. Ilir Meta është i njohur për kompromise, dhe kompromise të forta madje, që askujt nuk ia ka prerë mendja dhe nga kjo pikëpamje u priste që Meta të ishte një faktor paqësues për politikën shqiptare. Nuk e kuptoj pse e humbi këtë mundësi, këtë pushtet real të tij. Është goxha i diskutueshëm roli i presidentit të Republikës në raport me diplomacitë e huaja, unë nuk jam që Shqipëria të jetë një shtet vasal ambasadorësh, nuk e kam mbështetur kurrë këtë gjë. Por nuk do të preferoj kurrë që kryetari i shtetit të shkonte në një kurs përplasjesh publike me ambasadorët, sepse është një temë kot. Mendoj se opozita shqiptare ka humbur Ilir Metën, opozita shqiptare ka nevojë për Ilir Metën. Ndërkohë, Ilir Meta ka një rrugë që ti dalë përballë të keqes, atë që di të bëjë më mirë. E keqja është qeveria, nuk është në ambasada, në rrugë dhe kurrfarë vendi.