Ditën e sotme, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar takime të shumta me parlamentarë dhe funksionarë të qeverisë gjermane, si dhe seancë dëgjimore me deputetët e grupit më të madh parlamentar gjerman CDU/CSU, dhe me anëtarët të Komisionit për Çështjet Europiane dhe të Politikës së Jashtme.
Takime të veçanta, Basha ka zhvilluar me Johann Wadephul, Nënkryetar i Grupit Parlamentar CDU/CSU dhe Kryetar i Grupit të Punës për Ballkanin; me Gunther Krichbaum, Kryetarin e Komisionit për Çështjet Evropiane; me Raporterin e CDU/CSU për Shqipërinë Thorsten Frei, me Këshilltarin e Grupit CDU/CSU për punët e Jashtme dhe sigurinë Joachim Falenski dhe me përfaqësues të lartë të qeverisë në kancelarinë gjermane ku u prit nga Këshilltari i Kancelares Merkel për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Dr. Jan Hecker.
Basha ka nënvizuar se hapja e negociatave me Shqipërinë para së gjithash është shprehje e vullnetit politik të BE-së për të mbështetur aspiratën evropiane të Shqipërisë. Sot nuk është momenti për të festuar, por për të punuar. Disa nga vendet kryesore Europiane janë skeptikë për Shqipërinë, dhe kërkojnë arritje dhe prova të vërteta, veçanërisht në shtetin e së drejtës, luftën kundër krimit dhe korrupsionit - është shprehur më tej Basha.