Tre vëllezër dhe një person i katërt u shpallën në kërkim pasi dhunuan me mjete të forta një zyrtar vendor në Peqin. Ngjarja e rëndë u regjistrua gjatë zgjedhjeve për kreun e PS në Peqin. I plagosur mbeti Bilal Hasa, kreu i njësisë administrative Gjocaj. Hasa është qëlluar me shkelma dhe sende të forta nga disa persona, të cilët dyshoheshin se njiheshin më herët mes tyre, por janë edhe kushërinj me kryetarin e zgjedhur Madrid Sula. Gjatë zgjedhjeve për kreun e PS në Peqin, i pranishëm ishte edhe Sekretari i Përgjithshëm i socialistëve, Taulant Balla. Hasa dyshohet se është konfliktuar pasi kundërshtonte mënyrën e zgjedhjeve.
NJOFTIMI
Goditën me mjete të forta administratorin e Njësisë Administrative Gjocaj, shpallen në kërkim 4 shtetas, si dhe procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin, pas njoftimit të marrë se disa persona kanë goditur me mjete të forta administratorin e Njësisë Administrative Gjocaj, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngarjes.
Shtetasit që kishin goditur administratorin e Njësisë Administrative, sapo kanë parë Policinë janë larguar menjëherë.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Peqin, bënë shpalljen në kërkim të shtetaseve E. M., 30 vjeç, Xh. M., 23 vjeç, A. M., 32 vjeç, (vëllezër) dhe K. S., 35 vjeç, banues në Peqin dhe vijon puna për kapjen e tyre.
Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë edhe shtetasi N. M., 61 vjeç, banues në Peqin.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në qytetin e Peqinit, për shkak të detyrës, kanë goditur me mjete të forta administratorin e Njësisë Administrative Gjocaj, shtetasin B. H., 29 vjeç, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme.