Kryetari i KÇK-së, Rama, flet për "vartësit"

Hënë, 13 Janar 2020 14:17

Duke folur në ceremoninë e sotme  për finalizimin e projektit të repartit bashkëkohor për forcat policore të elitës, kryeministri Edi Rama, mes të tjerash foli edhe për  krimin e organizuar, deklarimin e pasurive të tyre etj. Ai bën të fortit dhe u tregon ligjin, atyre që paskan abuzuar nën hundën e tij, por harron se kush e ngriti në majat e pushtetit krimin e organizuar, i cili këto 6 vite ka marrë përmasa të frikshme dhe kohët e fundit është bërë shqetësim e pengesë e madhe për ecurinë e vendit. Çdo ditë ka vrasje, abuzime, vjedhje, korrupsion, denoncime të tmerrshme të administratës, të policisë, nga njerëz që rilindja e tij i vuri në pu8në e pushtet. Mjafton t’u referohemi përgjimeve të “Bildit” apo denoncimeve të përditshme të medias që nuk është blerë, e që ai kërkon t’u mbylli gojën edhe me ligj.

Gjatë fjalës së mbajtur sot në këtë aktivitet, kryeministri Rama theksoi se viti 2020 është përcaktuar si vit kyç për të vënë në jetë ofensivën më shembullore ndaj krimit të organizuar.

“Me përparimin e reformës në drejtësi po bëhet pastrim i madh, rrënjësor në pallatin e drejtësisë, por koha e nevojshme për të mbaruar këtë pastrim e për të vënë në funksionim të plotë institucionet e reja të drejtësisë nuk është fort e shkurtër dhe ndërkohë në këtë fazë tranzicioni mes një sistemi që po shembet e atij që po ngrihet shoqërinë jonë po përballet me organizatën kriminale, të rrezikshme e përbërë nga prokurorë e gjykatës që e dinë se nuk e kalojnë vetingun dhe i janë bashkuar motos kap ca të kapësh, duke dhënë vendime skandaloze, në cenim të sigurisë kombëtare”- tha ai.

Rama njoftoi se “Po kolaudojmë paketën ligjore me SHBA dhe BE dhe në vijim do ta kthejnë në një bazë ligjore për të ndërmarrë ofensivën më shembullore ndaj krimit të organizuar duke zhvilluar një aktivitet agresiv në terren të policisë së shtetit ndaj të gjithë atyre që janë dënuar, akuzuar por i kanë shpëtuar dënimit si rezultat i KCK dhe ka ardhur koha të provojnë se pasuria e tyre nuk buron nga krimi ose përndryshe të dorëzojnë pasurinë, dhe paralelisht do vëmë me shpatulla pas murit të cdo anëtari të KCK në prokuroria e gjykatë që do marrë vendime në kundërshtim me ligjin”.

Modifikuar më Hënë, 13 Janar 2020 14:34
Login to post comments