Të tjerë diplomatë i bashkohen Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë

Tuesday, 14 Janar 2020 12:13

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë prej gati dy vitesh nga themelimi është kthyer në një pikë të rëndësishme referimi, për promovimin dhe mbështetjen e politikës tonë të jashtme kombëtare.

Së fundmi, këtij grupi diplomatësh i janë bashkuar edhe personalitete të respektuara të diplomacisë dhe jetës publike dhe akademike të Republikës Kosovës, si një vlerë e shtuar në mendimin kritik dhe profesional të interesave tona kombëtare dhe shtetërore.

Anëtarët e rinj të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë nga Republika e Kosovës janë: ish Ambasadori i Kosovës në Republikën Federale të Gjermanisë, z. Skënder Xhakaliu, ish Ambasadori i Republikës së Kosovës në Austri dhe Australi, z. Sabri Kiçmari, ish Ambasadori i Republikës së Kosovës në Ankara dhe Nju Jork, z. Bekim Sejdiu, si dhe ish Ambasadori i Republikës Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, z. Muhamet Hamiti.

Zgjerimi i shtrirjes së Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, me ambasadorë të kalibrit Evropian nga Republika e Kosovës e lartëson misionin e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, duke e pasuruar atë me diplomatë të nderuar nga të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët.

Kësisoji, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë garanton një zë të besueshëm dhe konsistent që artikulon me gjuhën profesionale të diplomacisë bashkëkohore mishërimin e interesave kombëtare të shqiptarëve në Ballkan.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë është bashkim vullnetar i diplomatëve të nivelit më të lartë që nuk janë më në detyrë, të cilët kanë shërbyer për të paktën një mandat si Ambasadorë të karrierës ose jo të karrierës në shërbimin e jashtëm, si dhe zyrtarë shtetërorë të shquar për shërbimin e tyre në fushën e çështjeve ndërkombëtare.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka për mision që në emër të interesave të kombit, të krijojë tonalitetin e duhur moral dhe profesional, në mbështetje të politikës së jashtme kombëtare shqiptare, në frymën e interesave kombëtare dhe aspiratës Euro-Atlantike të kombit tonë.

Login to post comments