Pas takimit me kreun e PD-së Lulzim Basha, reagon edhe komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë në BE, Oliver Varhelyi.
Sipas zyrtarit të lartë europian, në takimin me Bashën pati një diskutim konstruktiv me opozitën jashtë-parlamentare.
“Në takimin me Lulzim Bashën kishim një diskutim konstruktiv me opozitën jashtë-parlamentare. Mirëpres marrëveshje për të ecur përpara me reformën Zgjedhore”, tha Varhelyi.
Në një dalje për mediat pas takimit, lideri i opozitës Lulzim Basha u shpreh ndër të tjera se, komisioneri për Zgjerim e ka prezantuar me strategjinë e tij, të cilën ai dhe opozita e bashkuar e mbështesin plotësisht, dhe se kanë gjetur dakordësi për arritjen e dy objektivave madhore, që do çonin në zgjidhjen e krizës, zgjedhjet e lira e të ndershme dhe hapja e negociatave.
“Më prezantoi me strategjinë që do paraqes ai, strategji që unë dhe opozita e bashkuar e mbështesim plotësisht. Prezantuam dhe gjetëm dakordësi të plotë se zgjidhja e krizës së rëndë politike në Shqipëri, përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, dhe hapja e negociatave, janë dy objektiva madhore, në harmoni dhe përputhje të plotë me njëri-tjetrin.
Mirëprita ndihmën e BE, që mundësoi dialogun politik për Reformën Zgjedhore jashtë parlamentit ilegjitim, të dalë nga krimi i organizuar, si hap i parë për të çuar drejt zgjedhjeve të lira, ku të zgjedhin qytetarët. Pa ndodhur kjo, nuk do të ndodhë asgjë, që do të çojë vendin përpara”, do të shprehej Basha.