Pamjet narkotike të Lefter Allas duke “rrufitur” kokainë nuk duhen parë thjesht brenda kornizës së asaj kamere lokali. Hordhitë e kryebashkiakëve kriminale të mbarsur nga farsa e 30 qershorit natyrisht u prezumohej edhe pa pamje një fakt i tillë, marrë parasysh se deri më tani i kanë rënë nja 3 kryebashkiakë Edvinit si të dënuar për vepra të rënda jashtë vendit.
Në fakt, ajo e thithur kokaine që bënte Lefteri ishte letra e lakmusit e qeverisë narkotike të Ramës. Të gjitha aktivitetet qeveritare të demaskuara të qeverisë Rama kanë pasur si emërues drogën, duke nisur me uzinën e kokainës së Xibrakës deri tek kooperativat e hashashit të Sajmir Tahirit.
Por është e habitshme të shohësh se nga të gjitha skandalet e dalë të Ramës, tek kjo videoja narkotike e Lefterit i dallohet një frikë, një zverdhje, një panik i heshtur se mos kokaina e Lefterit krijon një precedent të atillë saqë zbulon overdozën nga poshtë-urat e Parisit deri tek poltroni i Kryeministrisë së Edi Ramës. Ambalazhi propagandistik me deklaratat e eunukëve të Ramës nuk po arrin t’i mbulojë vizat e Lefterit. Përkundrazi, duket se kjo ngjarje shigjeton tek hunda e çarë e kryeministrit tonë të paqëndrueshme, i cili ka refuzuar të jap edhe një fije floku për t’i shpëtuar testit të drogës. Po ashtu, ai i vuri bllokadën dekriminalizimit që të përfshinte në kufizimet e veta edhe testin dhe zyrtarët “junky” siç i quan terminologjia e huaj.
Në këto rrethana, Lefteri na tregon atë çfarë ka parë në zyrat dhe “bujtinat” e Ramës . Testi i drogës së Lefterit është testi i reformës në drejtësi dhe SPAK-ut për të shkuar tek një kryeministër që ka arritur në pikun ku kokainën e ha si trahana.