Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë Besnik Mustafaj në një intervistë për rubrikën “Opinion” në “News 24” foli ndër të tjera edhe për videonku dyshohet se kryebashkiaku i Bulqizës Lefter Alla konsumon kokainë.
Mustafaj tha se Rama vazhdon të zgjedhë njerëz të inkriminuar sepse i shërbejnë atij, ndërsa shtoi se SPAK nuk duhet të hetojë vetëm këtë rast, por edhe koncesionet korruptive të qeverisë.
“Nuk është çudi aspak. Përdorimi i drogës është një ves për të cilin është përfolur edhe kryeministri. Mua më intereson më shumë se çfarë zgjedh kryeministri për kryebashkiakë. Edhe njëherë tregohet se gjithçka është rrënuar moralisht. SPAK nisi të hetojë. Mirë bën, por ky SPAK nuk ka bërë hetime për koncesionet, kurse bën hetime për ngjarje të tilla. Është turp që mbyllet dosja e Unazës, pasi tenderi ishte korruptiv. Patjetër që nuk mund ta shpallim dot fajtor direkt, por nxitimi i SPAK më duket disi i pavend”, tha Mustafaj.
Besnik Mustafaj deklaroi më tej se nuk sheh shenja që kjo maxhorancë të dërgojë vendin në zgjedhje të përgjithshme të parakohshme.
“Unë nuk shoh shenja që maxhoranca do të dërgojë vendin në zgjedhje të përgjithshme të parakohshme. Pa reformën zgjedhore nuk do të ketë zgjedhje të përgjithshme. Opozita nuk ka ndonjë gjë në dorë, përpos se të dalë në rrugë. Gjykata Kushtetuese mund të shpallë zgjedhjet të pavlefshme”, u shpreh Mustafaj.
Në lidhje me ambasadoren e re amerikane në Shqipëri Kim, Mustafaj tha se ajo është me përvojë dhe beson se do të jetë aktive në punën e saj.
“Është një diplomate me përvojë. Është ambasadore që ka thënë para Senatit se do të përfaqësojë denjësisht vendin e vet në Shqipëri. Kam shpresa se do të jetë aktive”, tha Mustafaj.
Për Besnik Mustafaj, edhe situata në Kosovë është problematike, kurse nënvizoi se kishte besim tek një koalicion mes LDK e VV.
“M’u bë qejfi që fitoi Vetëvendosje dhe LDK. VV nuk ishte provuar në qeveri, kurse Lidhja Demokratike e Kosovës ishte e sprovuar. Fakti që ky koalicion nuk bëhet bashkë, nuk merr qeverinë, atëherë është për të ardhur keq. Partitë në Kosovë ngatërrohen në mënyrë të pajustifikuar. Nëse nisemi nga deklaratat, Kadri Veseli ka thënë se do të jetë në opozitë. Nëse kjo deklaratë është e sinqertë dhe e pjekur, atëherë nuk ka mënyrë tjetër përpos zgjedhjeve. Situata në Kosovë është e pazakontë. Ka krizë edhe në vende të tjera, por në Kosovë ndihet kjo krizë më shumë, sepse është shtet më i dobët”, tha Mustafaj.